Europa ish-komuniste në fokus të festivaleve në Itali
Bergamo, Milano, Leçe dhe Torino; katër qytete dhe katër festivale ndërkombëtarë filmash që do t’u japin këtë javë hapësirë filmave që vijnë nga Ballkani. Europa ish-komuniste është në qendër të Festivalit XXIX të Filmit në Bergamo që do të zhvillohet në datat 12-20 mars. Janë 8 filma që përfaqësojnë prodhimet kinematografike nga Europa post-socialiste, kryesisht të viteve 1990-2010 që do të konkurrojnë nën moton “Mondo ex. Film dall’Europa post-socialista: 1990/2010”, një titull i inspiruar nga një libër i Predrag Matvejeviç. Socializmi real dhe pasojat e tij të rrëfyera vetëm pak pas rënies së murit të Berlinit, nga regjisorët e vendeve si: Polonia, Estonia, Hungaria, Republika Çeke, Shqipëria, Rumania, Kroacia, Bosnja, Serbia dhe Bullgaria. Mungon në fakt shteti mëmë socialist i këtyre vendeve, Rusia, ku në fakt janë realizuar filma pa fund mbi fitoret, abuzimet dhe mjerimin komunist, duke filluar që nga regjisorët Konchalovskij deri te Michalkov, apo nga Lungin deri te Balabanov. Çuditërisht komedia e regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani “Sloganet” duket shumë e errët për të qeshur me të. Për t’u shënuar është dhe filmi rumun “Si kalova në fund të botës” e Catalin Mitulescu-t, ku protagonistë janë dy vëllezër, ndërkohë që regjimi i Çausheskut bie ashtu siç gabimisht ra dhe statuja nga duart e tyre. Apo filmi kroat “Shpirti i Mareshal Tito-s”, që do të shfaqet premierë më 15 mars, i regjisorit Vinko Bresan, i cili me filmat “Si filloi lufta në ishullin tim” (1996) dhe “Dëshmitarët” (2000) ka qenë regjisori më efikas në trajtimin e fundit të Jugosllavisë. Në filmin “Shpirti i Mareshal Tito-s” historia që rrëfehet është sa tragjike aq dhe absurde. Në një ishull kroat hapen zëra se disa njerëz kishin parë fantazmën e Titos (diktatorit jugosllav); ndërkohë që zbarkojnë kureshtarët, kryetari i bashkisë vihet në lëvizje për të përfituar nga turistët, por dhe me mbështetjen e një grupi ish-partizanësh për të risjellë regjimin komunist në ishull. Festivali i Milanos në fakt i dedikohet femrave kineaste të Ballkanit. Ai çelet më 13 mars me filmin “Në barkun e balenës”, e rumuneve Ana Szel dhe Ana Lungu. Filmi rrëfen historinë e një gruaje të re dita e së cilës nis me rastësinë absurde të humbjes së celularit, ndërkohë që pret një telefonatë shumë të rëndësishme.
Festivali i Torinos flet vetëm shqip
Edhe në Festivalin e Torinos propozohen disa prej filmave me aromë ballkani. Festivali çelet me filmin “Almos Married” e turkes Fatma Bucak dhe italianit Sergio Fergnachino, që janë dhe protagonistët e filmit. Një udhëtim aventuroz në Turqi dhe një vajzë e re e cila dashurohet dhe fejohet me një italian. Fatma (regjisorja e filmit) do të martohet sipas rregullave të familjes, duke kërkuar që të marrë dhe bekimin e saj për martesën. Rreth kësaj sillet e gjithë historia. Ndërsa dhe Shqipëria nuk mbetet pas në këtë festival. Një seksion do t’i kushtohet kinematografisë shqiptare nën logon “Fokus Albania”, ku do të shfaqen në seksionin e dokumentarëve filmi “Kam qenë zot në Bosnje”, i regjisorit Erion Kadilli, ndërsa në seksionin e filmit artistik do të shfaqen prodhimet shqiptare të pas ’90-ës, si “Gjallë”, i Artan Minarollit, që rrëfen historinë e Kolit, interpretuar nga Nik Xhelilaj, që ishte dhe i ftuar nderi në Torino; filmi “Lindje-Perëndim -Lindje”, i Gjergj Xhuvanit; “Koha e lirë”, e Kreshnik Serjanit; “Jinx in a Jiffy”, i regjisorit Gentian Kocic; filmi “Kukumi”, i regjisorit kosovar Isa Qosja; “Mr. Fly”, nga Enkel Gurakuqi; “The Gambler”, nga Reard Gjermeni; edhe në fund “The Last Sigarette”, nga Gledis Bica.