Kujtohet piktori i luftës, Fatmir Haxhiu
Muzeu Historik Kombëtar ka kujtuar, dhjetë vjet pas vdekjes, piktorin “Artist i Merituar” Fatmir Haxhiu, i cili njihet si piktori i luftërave të popullit shqiptar. Në aktivitetin përkujtimor, zhvilluar në pavijonin e mesjetës në Muzeun Kombëtar, ku ndodhet edhe afresku mural 8 metër i luftës së Skënderbeut, krijuar nga duart e Haxhiut, kritikë arti, miq kolegë dhe dashamirës shprehën vlerësime rreth veprës së piktorit si dhe pengun e fundit të tij. Që prej 10 marsit të vitit 2001 (kur ai u nda nga jeta), në kavaletin e tij të punës ka mbetur pa u përfunduar një punim i fundit i titulluar ‘Beteja e Fushë-Kosovës’, një kompozim monumental dhe që ishte porositur nga Muzeu Historik i Kosovës. Artisti Fatmir Haxhiu, piktor i vlerësuar me disa çmime kombëtare, është shpallur "Qytetar Nderi" pas vdekjes nga bashkia e qytetit të Përmetit. Për nder të tij është zhvilluar një ceremoni ku të pranishëm ishin familjarë, drejtuesit lokalë, emra të njohur të pikturës dhe letërsisë. Piktori Fatmir Haxhiu për kontributin e tij ka marrë titujt "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Ai është autor i shumë punimeve që pasqyrojnë betejat e njohura në historinë e Shqipërisë. Disa prej tyre janë Beteja e Kaçanikut, Beteja e Albulenës, pikturat e titulluara Vrana Konti, Kryengritja e Matit, Këshilltaret e Hekalit.