E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa kundër vetes

Nëse do të zyrtarizohet vendimi i përfolur i liberalizimit të vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, duke lënë jashtë edhe për njëfarë kohë Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, mund të thuhet pa pikë dyshimi se Europa po bën një gabim, i cili, me të drejtë ose jo, mund të keqkuptohet gjerësisht.


Çështja e liberalizimit të vizave nuk është se ka të bëjë aq shumë me standarde statike të BE-së, e për pasojë nuk ka arsye të fortë që në këtë proces të diferencohen 2-3 shtete të vogla të Ballkanit Perëndimor, të cilët Europa, në njëfarë mënyre, i ka nën hyqëm, për të mos që thënë i qeveris prej disa vitesh. Të paktën Bosnjën dhe Kosovën, të cilat de facto i ka protektorate të saj.


Ka një arsye, por nuk është vetëm kjo, që hamendësohet prej kohësh dhe që nuk bën ndonjë mëkat ta besosh në një Europë të mbushur plot me konjuktura, miqësi pafund e lidhje të mistershme, mbi të gjitha me mentalitetin e një kontinenti të përçarë. Kjo arsye është përkatësia fetare.


Tre vendet e vogla ballkanike, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, me sa duket duhet të paguajnë edhe për disa kohë përkatësinë myslimane të shumicës së popullsisë së tyre.


Duke treguar se në Europë përkatësia fetare nuk është e parëndësishme, sado që në raste shumë flagrante konfliktesh, ajo nuk ka mundur të shfaqet në plan të parë. Po t'i shtojmë këtij argumenti rastin e Turqisë, atëherë përfundimi është i thjeshtë.


Po çfarë përfitimi ka Europa nga ky lloj diferencimi, kur bëhet fjalë për 3 vende që e kanë pranuar atë si udhëheqëse të tyre, e që si në asnjë vend tjetër të kontinentit, mbi 90 % e popullsisë janë pro hyrjes në bashkësinë kontinentale. Europa po tregon se kur bëhet fjalë për standarde të njëjta vendesh në proces, është e gatshme të bëjë diferenca bazuar thjesht e vetëm në mentalitete apo xhelozi.


Po ta marrim të mirëqenë atë që po ndodh, ashtu siç thuhet, se Shqipëria, vetë e tretë, duhet të presë edhe për disa kohë, varet nga zhvillimet ose nga sebepet që mund të shfaqen rrugës, i bie që në një Europë, e cila pa Rusinë dhe disa ish-republika të saj, ka një popullsi mbi 500 milionë banorë, të mbesin pa të drejtë lëvizjeje të lirë vetëm 3 shtetet me shumicë të popullsisë myslimane, që së bashku nuk kapin as 10 milionë banorë. E çuditshme, por ja që po ndodh!

***
Në Kosovë ka pasur një kundërshtim të madh ndaj diferencimit të vendeve ballkanike në hapin e liberalizimit të vizave. Një grup i gjerë intelektualësh kosovarë, prej tyre mjaft gazetarë, biznesmenë të njohur e aktorë të tjerë, kanë firmosur një dokument në përpjekje për të sensibilizuar Europën lidhur me këtë që pritet të ndodhë.


Politikanët kanë shprehur hapur pakënaqësi, duke mos gjetur arsye reale, që serbët të kenë të drejtë lëvizjeje dhe shqiptarët jo.


Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë reagim me nota të forta, por vetëm premtime, për të qenë brenda, në kuadër të fushatës elektorale. Ky diferencim nuk është konsideruar si padrejtësi ndaj Shqipërisë, por si përgjegjësi e brendshme, ku palët politike janë munduar ta shfrytëzojnë rëndom si në të gjitha rastet e tjera të hapave integrues.


Në procesin e integrimit të plotë në BE, ndër gjashtë vendet ballkanike (Shqipëri, Serbi, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë), që akoma nuk janë bërë pjesë e lëvizjes së lirë, Maqedonia është më përpara.


Ajo e ka kapërcyer fazën e të qenit të vendit kandidat, ka kohë që e ka bërë këtë gjë, po ka stopuar për shkak të zhvillimeve të brendshme dhe çështjes së emrit. Pa saj vjen Shqipëria, që ka përmbyllur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat.


Akoma më pas vijnë Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja, që kanë nënshkruar MSA-në. Po të gjykojmë mbi bazën e këtyre fazave, i bie që Shqipëria të ishte ndër vendet e para që do duhej përfshirë në liberalizimin e vizave.


Paradoksalisht, nuk ndodh kështu. Gjenden arsye sa të duash, që prej kushteve të sigurisë, ndërkohë që Shqipëria është i vetmi vend i kësaj gjashtësheje, i integruar në NATO, e deri tek dokumentet, pasaportat biometrike (të cilat janë në proces). Arsye që nuk të bindin si reale.


Nuk është ndonjë hata për Europën sikur të gjitha vendet ballkanike, të mbetura, t'i përfshinte në një grup liberalizimi. Standardet ekonomike dhe politike të këtyre vendeve janë pak a shumë në të njëjtin nivel, pesë më shumë e pesë më pak, popullsia e të gjithave të marra së bashku është shumë më e vogël se popullsia e Rumanisë.


Nuk do të përbënte ndonjë hata as për tri vendet e mbetura jashtë, që të përfshiheshin në lëvizjen e lirë, nëse Europa do të ishte e sinqertë në vendimmarrjen e saj.


Problemi qëndron se brenda kësaj që ndodh, shikohet një hipokrizi e pamasë që lidhet me trajtimin e identiteteve të popujve. Që e bën Europën të dalë kundër vetes së saj. Këtu është rasti të shtojmë edhe xhelozinë mes superfuqive. Thënë troç, shqiptarët, por dhe boshnjakët, njihen si thellësisht proamerikanë.


Europës nuk i pëlqen kjo gjë dhe gabimisht po bën atë që ka në dorë ta bëjë për momentin, avantazhimin e Serbisë që shkaktoi tronditjet më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore dhe lënien jashtë të Shqipërisë së bindur e të urtë, si dhe dy vendeve që u viktimizuan prej serbëve, Kosovës dhe Bosnjës.

***
Rasti i integrimit të Shqipërisë në NATO tregoi se proceset nuk janë statikisht çështje standardesh, por çështje gatishmërie e vetë organizatave. Edhe integrimi me pishman, i Rumanisë dhe Bullgarisë në BE, këtë gjë ka dëshmuar. Po të ishte punë standardesh, Kroacia do ishte prej kohësh vend anëtar.


Në fazën ku ndodhen vendet ballkanike, në raport me BE-në, lëvizja e lirë, diferencimi sidomos, nuk duket se është punë standardesh, aq më pak punë pasaportash. Me pak fjalë, është punë mentalitetesh, kapriciosh, xhelozish. Më kot ngatërrohemi kështu mes veti. Duhet bashkuar e reaguar fuqishëm ndaj këtij diferencimi të pajustifikuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›