E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të luash një rol

Ka pasur kaq shumë analiza e reagime në këtë periudhë postzgjedhore. Analizë mbi ç'bazë? Sigurisht, kur një situatë e caktuar politike, ekonomike apo sociale, është e dukshme, shifrat janë të nevojshme, por jo të domosdoshme.


Si rrjedhim, nëse kjo situatë nuk do të ishte e mbështjellë me tisin e errët të dyshimit, debati mbi rezultatin e zgjedhjeve (edhe pse shifrat nuk kishin dalë plotësisht), nuk do ta kishte ndarë sot Shqipërinë në pro edhe kundër.


Megjithatë, kjo nuk i pengon njerëzit e mençur ta imagjinojnë të bardhën ashtu siç është.
Njësoj si spektatorët, që shohin një dramë të luajtur nga aktorë, që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në ankth duke e ditur të vërtetën, derisa intriga zgjidhet e pastaj diskutojnë mes tyre sesi regjisori i kishte ndërthurur situatat, për të mbajtur gjallë interesin e tyre, ashtu edhe shqiptarët mbajtën frymën deri sa "akti i fundit" i kësaj drame mbaroi.
"Aktorët" vazhdojnë të luajnë e ne po presim deri në ç'pikë arrin e keqja e tyre.


Deri tani kemi parë "humbësin", i cili duket se nuk ka brenda vetes shqetësimin e humbjes, por zbardhjen e të vërtetës.


Pak ose aspak janë kthyer sytë tek "fitimtari". Ai për hir të së vërtetës nuk po shfaq ndonjë gëzim, përkundrazi, ngërdheshja endet në fytyrën e tij; në të vërtetë shquhet dukshëm trishtimi, i cili sa më i madh bëhet, aq më shumë theksohet ngërdheshja. Ai e ka të ndaluar ta shfaqë humbjen e tij; duhet të luajë rolin e njeriut të lumtur.


"Të luash një rol" është një shprehje që përdoret shumë shpesh për politikanët, por a mund të merret me mend se çfarë farse të jetës përfaqëson një rol i luajtur kaq keq.
Një popull i tërë i hequr zvarrë në kërkim të ëndrrës evropiane ftohet të votojë dhe më në fund nuk i garantohet vërtetësia e vullnetit të tij.


Është pothuaj e dhimbshme të shohësh tek shfaqen në ekranet e televizionit personazhe të njohur ose jo për publikun shqiptar në përgjithësi, si edhe për elektoratin e majtë në veçanti, të nxitojnë jo vetëm të deklarojnë humbjen me një gëzim që lexohet lehtë, por edhe të shpallin armikun. Ata janë kryesisht persona të papërfshirë në listat e deputetëve.


Është e vështirë të pranohet pakënaqësia e një njeriu për faktin se ai nuk "është përzgjedhur", për sa kohë kjo nuk ka kaluar përmes një konkursi apo kriteresh fikse.
Por, ata, në thelb përpiqen të thonë se PS-ja humbi ngaqë kontributi i tyre nuk është vlerësuar(!)


Çdonjëri prej nesh e vendos veten në pozita shumë qesharake nëse shfaq një dozë kaq të lartë mbivlerësimi. Sipas ekspertëve të menaxhimit të burimeve njerëzore, kjo sjellje është një arsye më shumë për të mos i përzgjedhur, në pozicionin që ata pretendojnë ta kenë; në të kundërt, njerëz që shfaqen më modestë, dhe kanë madje ndjenjë mosbesimi në vetvete, kanë një arsye më shumë për t'u konsideruar si më të motivuar. (dhe meqë ra fjala, të parët njerëz që u ngarkuan për menaxhimin e burimeve njerëzore - kur ajo lindi si një metodë e re - ishin ata me diploma arti).


Koncepti për veten, në fakt është çështje imazhi. Një njeri e vlerëson veten e tij ashtu siç ai do të dëshironte të ishte, e vlerëson më pak sesa ai në realitet është, e lë ta vlerësojnë të tjerët.


Vetë mënyra sesi personazhet tanë të sipërcituar nxitojnë të shpallin fajtorët, e vërteton mosmotivimin e tyre për të kontribuar në fitoren e PS-së. Arsyetimi se: "PS-ja humbi se politika e re nuk ngjiti në elektorat", është i pabazuar, qoftë nga shifrat, qoftë nga reagimet e qytetarëve.


Politika e re sigurisht që nuk ishte një shpikje, por erdhi si nevojë për të ndryshuar një situatë të caktuar ekonomike, sociale dhe politike. Kjo politikë e re u perceptua në fakt si kundërvënie ndaj politikës së vjetër, ndërsa nga kritizerët brenda e jashtë PS-së u nxitua të etiketohej si një politikë, që synonte ta quante politikën e vjetër automatikisht si të keqe, ndërsa të renë si të mirë.


Sigurisht, është e rëndë të thuhet nga një politikan i spikatur i PS-së se PS-ja nuk fitoi pikërisht për shkak të politikës së re. Të pohosh këtë, do të thotë të mos mbash përgjegjësi për rolin që ke marrë për të luajtur në këtë formacion politik, gjithaq nuk mjafton të thuash se "jam fajtor".


Nëse një ide e re, të cilën mund ta quajmë novacion, merret përsipër nga një novator, duhet të ekzistojnë edhe disa persona të veçantë, të cilët duhet të influencojnë mbi grupet e ndryshme, në mënyrë që novacioni të mund të adaptohet.


Në fakt, kritizerët e sotëm gjatë gjithë fushatës nuk i dëgjuam të flasin mbi sloganin "përtej të majtës e të djathtës". Prej këtej rrjedh se ky slogan, më së shumti nuk ngjiti tek këta kritizerë, sesa në elektorat.


Sigurisht, një analizë postzgjedhore po bëhet në PS nga vetë strukturat e saj, por të mos harrohet edhe roli i gjithsecilit, jo për sa i përket nivelit të performancës, por nëse ky rol është luajtur mirë ose keq.


Një gjë është e sigurt, se vullneti tashmë i shprehur realisht në shumicë nga shqiptarët, kërkon që ky proces i nisur nga Edi Rama të konsolidohet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›