Europianët kritikojnë zgjedhjet

Pa marrë parasysh përpjekjet qëllim mira të shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel baze, për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e delegacionit monitorues të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Kosovë.
Kjo deklaratë është lëshuar para përfundimit të numërimit të votave dhe zgjidhjes së ankesave të mundshme për zgjedhjet e përsëritura më 9 janar 2011.
“Edhe pse votimi është zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë, delegacioni po ashtu ka marrë parasysh raportimet për mashtrime zgjedhore dhe kërcënime. Delegacioni është duke pritur vlerësimin përfundimtar të monitorimit vendor dhe ndërkombëtar për të paraqitur konkluzionet e tij”, thuhet në deklaratë.
Më tej, delegacioni monitorues i Parlamentit Europian thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, për të cilën gjë thuhet se Parlamenti Europian është plotësisht i përkushtuar. Po ashtu, shpreh keqardhjen për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit.
“Në mënyrë që të forcohet besimi publik në procesin demokratik duhet që, menjëherë dhe shpejtë, të ndërmerret një përpjekje vendimtare për të ndjekur penalisht të gjithë kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009”, thuhet në deklaratë.
Kosova vlerësohet se duhet të ndërmerr hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës.
Delegacioni mirëpret faktin që partitë politike kanë kuptuar domosdoshmërinë për të çuar përpara reformën zgjedhore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira zgjedhore, ndërkaq inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të përfunduar numërimin e votave në mënyrë të saktë dhe për të shpallur sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë transparente dhe të hollësishme rezultatet e zgjedhjeve.
Delegacioni ka vërejtur përmirësime përkatëse në performancën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe hapat fillestar për të reduktuar kulturën e mosndëshkimit.
Delegacioni i Parlamentit Europian (PE), që ishte caktuar për zgjedhjet e përsëritura të 9 janarit është udhëhequr nga Ulrike Lunacek, e cila është po ashtu raportuese e PE për Kosovë, si dhe Jutta Steinruck.