E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa simbole në CEFTA

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të marrë vendimin për modelin e përfaqësimit të Kosovës në takimet e CEFTA’s. Qeveritarët thonë se zgjidhja më e mirë do të jetë modeli Gymnih, ku shtetet përfaqësohen pa flamuj, por kështu nuk mendojnë ekspertët. Ata kërkojnë përfaqësim me simbole. Nga Albulena Maloku më 10 janar 2011 në ora 09:15

Kosova kryeson CEFTA’n, por ende pa e ditur modelin e mbajtjes së këtyre takimeve. Këtë vendim pritet që ta marrë Qeveria në mbledhjet e radhës. Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë pranojnë se modeli më i përshtatshëm është ai Gymnih, sipas të cilit shtetet përfaqësohen pa simbole shtetërore. Madje, kërkesën për caktimin e këtij modeli ditë më parë e ka pranuar Qeveria nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, thotë se shumë shpejt Qeveria do të marrë vendim se me çfarë modeli do të organizohen takimet e CEFTA’s gjatë kryesimit të Kosovës. Ai tha se deri më tani në takimet e tjera të karakterit rajonal janë përfaqësuar sipas modelit Gymnih.

“Sipas këtij modeli, shtetet përfaqësohen në mënyrë të barabartë pa flamuj e kështu që besoj edhe këtë radhë në takimet e CEFTA’s do të jetë ky model”, thotë Krasniqi. Ai tregon se vendimin do ta marrin në ditët e ardhshme. Sipas tij nuk do të ketë nevojë të pritet formimi i qeverisë së re. “Ne nuk do të humbim kohë dhe do t’i kryejmë vendimet e nevojshme, në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë”, tha Krasniqi.

Drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, thotë se që nga 1 janari i këtij viti, Kosova ka marrë kryesimin e CEFTA-s, por presin vendimin e Qeverisë për formën e përfaqësimit në takime.

“Nuk besoj se do të jemi peng i ndonjë vendimi të gabuar politik, sepse e vetmja çështje që ka mbetur pezull për momentin është vendimi politik i Qeverisë lidhur me formën e mbajtjes së takimeve në CEFTA dhe unë pres që sapo të krijohet qeveria e re, do të merret një vendim që normalisht nuk cenon aspektin shtetëror të Kosovës”, thotë Keqa.

Profesori i Integrimeve Evropiane, Gazmend Qorraj, vlerëson se kryesimi optimal do të ishte që përfaqësimi të bëhej në aspektin real, por edhe atë formal nga Kosova. Ai thotë se shteti ynë mund të përfaqësohet edhe me simbolet shtetërore në këto takime gjatë kryesimit të CEFTA’s.

“Sistemi Gymnih është zgjedhja e dytë më e mirë, sepse duke marrë parasysh rrethanat që kanë ndodhur deri më tani, nuk shihet ndonjë mundësi më e mirë e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA. Sistemi Gymnih është një sistem i adaptuar nga Komuniteti Ndërkombëtar në mënyrë që të gjendet një zgjedhje në kushtet e jashtëzakonshme dhe të dilet nga ndonjë krizë e mundshme e përfaqësimit”, tha Qorraj.

Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duhej që të rinegociojne të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësimi i përbashkët me UNMIK-un. “Në një dokument transicioni që është përgatitur në vitin 2007, në kemi paraparë që në vitet në vijim institucionet e Kosovës duhet të rishikojnë të gjitha marrëveshjet multilaterale dhe bilaterale të nënshkruara, në mënyrë që sot Kosova të mund të përfaqësohet në mënyrë më të mirë, por çka është me rëndësi edhe funksionalizimi i kësaj marrëveshjeje të mos vihet në pikëpyetje”, thotë profesori Qorraj. Sipas planit, aktivitetet e kësaj marrëveshjeje fillojnë nga fundi i tremujorit të parë të vitit dhe intensiteti i këtyre takimeve, thotë se do të jenë në 3-mujorin e dytë.

Ndryshe, marrëveshjen e CEFTA-s për Kosovën e ka nënshkruar në atë kohë UNMIK-u. Prandaj, shtetet fqinje, si Serbia dhe Bosnja, po gjejnë “behane” te nënshkruesi dhe llogoja. Madje, pala kosovare deri tash nuk është lejuar të marrë pjesë në takimet e Sekretariatit, nëse nuk ishin aty ndërkombëtarët. Madje, shumë herë ka ardhur në shprehje edhe dalja e Kosovës nga kjo marrëveshje, duke marrë parasysh demin ekonomik që i shkaktohej nga këto shtete.

Sipas dy treguesve të qarkullimit tregtar, në vitin 2007 Kosova ka eksportuar 19-20 milionë euro mallra në Serbi, ndërsa më 2009 kjo ka rënë në 3.5 milionë. Ndërkaq, me Bosnjën më 2007 ka qenë një eksport mbi 5 milionë eurosh, përderisa më 2009 kjo ka rënë në 1 milion.

Sipas këtyre treguesve, shihet se është dëmtuar ekonomia e Kosovës. Përkundër kësaj, produktet serbe kanë kaluar pa asnjë pengesë në tregun kosovar dhe importi serb ka pasur qarkullim gjithnjë e më të madh.

Çka është modeli “Gymnih”?

Qeveria e Kosovës, ndonëse ende nuk ka marrë vendim të prerë, pranon se modeli më i pranueshëm për përfaqësim e Kosovës në CEFTA, është i ashtuquajturi modeli “Gymnih”. Sipas këtij modeli shtetet përfaqësohen në mënyrë të barabartë pa flamuj. Me ketë lloj përfaqësimi besohet se janë pajtuar edhe shtetet tjera anëtare të CEFTA-se, duke përfshirë këtu edhe Serbinë e Bosnjën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›