Europol vlerëson Policinë shqiptare për profesionalizmin në operacionet ndërkombëtare

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Europol, gjatë takimit të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor, për drejtësinë dhe çështjet e brendshme, vlerësoi Policinë shqiptare për angazhimin, besueshmërinë dhe profesionalizmin në operacionet ndërkombëtare të zhvilluara 6-mujorin e fundit.
Gjatë takimit, zyrtarët e lartë të BE-Ballkani Perëndimor, për drejtësinë dhe çështjet e brendshme, raportuan për çështje si: luftën kundër krimit të organizuar nëpërmjet hetimeve financiare dhe rikuperimit të aseteve; platformën EMPACT kundër kërcënimeve kriminale dhe lufta kundër migracionit të parregullt dhe menaxhimi i integruar i kufirit.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, drejtori i departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku.
Përgjatë raportimeve u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe ai rajonal, si dhe sfidat për të ardhmen.
Drejtorët Nallbati dhe Boshnjaku, në emër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, garantuan të pranishmit se Policia e Shtetit është e motivuar, e angazhuar dhe e vendosur për realizimin e këtyre sfidave dhe për të punuar përkrah partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftë kundër kërcënimeve globale, si krimi i organizuar dhe së fundmi edhe kërcënimet kibernetike.
Përfaqësuesi i Europol falënderoi Policinë shqiptare për rezultatet e saj në përfshirjen në operacionet ndërkombëtare dhe besueshmërinë e treguar në drejtim të goditjes dhe sekuestrimit të aseteve të grupeve kriminale.
1 nga 5/k.s/r.e//a.f/