Shkodër, nis stërvitja ndërkombëtare “Flood North Albania” për përballimin e përmbytjeve

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Në qytetin e Shkodrës ka nisur zyrtarisht stërvitja ndërkombëtare “Flood North Albania”, një simulim i koordinuar për përballimin e përmbytjeve, që do të zgjasë deri më 12 prill 2025.
Në këtë stërvitje marrin pjesë 13 partnerë nga Ballkani dhe vende të tjera europiane, me fokus në testimin e gatishmërisë së forcave të mbrojtjes civile dhe koordinimin ndërkombëtar në rast emergjencash natyrore.
Në ceremoninë e hapjes, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, theksoi rëndësinë e kësaj nisme në Shkodër, një territor, i cili njihet dhe sfidohet shpesh nga rreziku natyror i përmbytjeve.
Sipas Çakos kjo është një ngjarje e rëndësishme, që synon të testojë bashkëpunimin ndërkombëtar për përballimin e përmbytjeve dhe fatkeqësive natyrore në mënyrë të koordinuar.
“Ky projekt konsiston në një skenar gjithëpërfshirës që do simulojë menaxhimin e një përmbytje me shtrirje të gjerë, i cili synon përmirësimin e vendimmarrjes, do të mundësojë ndarjen e kapaciteteve dhe burimeve, përdorimin e mjeteve inovative dhe trajnimin e përbashkët.
“Me pjesëmarrjen e 8 shteteve anëtare, ky ushtrim do të testojë dhe përmirësojë procedurat e koordinimit kombëtar dhe ndërkombëtar nën monitorimin e përfaqësuesve të DG Echo”, u shpreh Çako.
“Pas një angazhimi prej pothuajse 1 viti, kjo stërvitje do të kurorëzohet me një kalendar aktivitetesh paralele në disa njësi administrative të ekspozuara, duke testuar dhe forcuar lidhjet mes ekipeve nga shtatë shtete të rajonit – Italia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Qipro – të cilat janë të angazhuara me kapacitetet e tyre të specializuara të kërkim-shpëtimit në ujë dhe logjistikën e nevojshme për reagimin ndaj përmbytjeve”, tha Çako.
Sipas Çakos “kemi në terren pjesëmarrje të mbi 450 personave dhe 60 mjeteve, përfshirë motobarkat, motopompat me kapacitet të lartë, dronët, ambulancat, kamionët, një dëshmi reale e kontributit dhe solidaritetit të secilit”.
Çako u shpreh i bindur se “duke punuar së bashku, do të mund të zhvillojmë aftësi të reja dhe të mbështesim njëri-tjetrin në përballimin e sfidave që mund të sjellin emergjencat, si dhe përmirësimin e gatishmërisë dhe aftësisë së reagimit ndaj fatkeqësive natyrore”.
“Në përfundim, dua të theksoj se kjo stërvitje është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga njëri-tjetri, për të krijuar lidhje të reja me ekipe nga rajone të ndryshme dhe për të ndarë eksperienca të vlefshme, duke ndihmuar kështu në krijimin e një rrjeti më të fortë dhe më të efektshëm në nivel lokal, rajonal dhe evropian”, nënvizoi Çako.
“Jam i sigurt se përvoja dhe njohuritë që do të sillni dhe fitoni gjatë kësaj stërvitjeje, do të kenë një ndikim të madh në përmirësimin e kapaciteteve tona të reagimit dhe në ndihmën që mund të ofrojmë për qytetarët tanë në kohë krize”, tha Çako.
Ky projekt është financuar nga DG ECHO, Bashkimi Europian dhe ka filluar që në Janar të vitit 2024 dhe përfundon në Dhjetor 2025. Lider i këtij projekti është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë dhe në këtë partneritet janë përfshirë, përveç Shqipërisë edhe Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Në katër ditët e organizimit të stërvitjes, do të zhvillohen skenarë të ndryshëm dhe forcat që marrin pjesë në të do të stimulojnë ngjarje të vërteta ku ata i vijnë në ndihmë popullsisë në zonat e përmbytura.
Gjatë këtyre stimulimeve, përveç forcave zjarrfikëse të përfshira nga vendet partnere, janë përfshirë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës, forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, forcat e Policisë së Rendit, Kryqi i Kuq, Urgjenca Mjekësore, si dhe forca vullnetare.
Që nga korriku i vitit 2023, Shqipëria është pjesëmarrëse me të drejta të plota në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Në këtë Mekanizëm janë të përfshira pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit dhe në raste të emergjencave civile anëtarët e tij japin ndihmë të menjëhershme. Në këtë kuadër, edhe Shqipëria ka dhënë ndihmë me dërgimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në tërmetin e ndodhur në Turqi në fund të 2022, si dhe dërgimin e zjarrfikësve në zjarret masive që përfshinë disa zona në Greqi, përgjatë verës së vitit të kaluar.
/r.e//a.f/