Eurozona, mes fondit të centralizuar dhe ndihmës direkte për bankat
Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek takimi europian. Por takimi europian i 17-18 tetorit do t’i shërbejë sigurisht më shumë kancelares gjermane Angela Merkel e cila ka shumë mundësi që të propozojë një bilanc të përbashkët për të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Duhet pranuar ndërkaq që të gjitha diskutimet e Bashkimit Europian dashur pa dashur po kalojnë madje duke u përqendruar gjithmonë dhe më shumë nga Gjermania. Një ndër to është padyshim edhe diskutimi për krizën europiane dhe daljen prej saj. Sipas një interviste dhënë të përditshmes Die Welt am Sonntag, Peer Staibryk ish ministri i Financave të Gjermanisë, i cili do të sfidojë kancelaren Merkel në zgjedhjet që do të kryhen në tetor të vitit 2013, ka deklaruar së “Greqisë duhet t’i jepet më shumë kohë për të ecur përpara në planin e reformave” – duke shtuar më tej se “nuk duhet të shtrëngojmë akoma dhe më tepër vidat: grekët duhet t’i përmbahen angazhimeve të tyre, por duhet t’i japim akoma dhe pak kohë”. Duket se ish ministri i Financave ka filluar fushatën e tij zgjedhore sepse ka folur edhe për kancelaren aktuale Merkel. “Kancelarja duhet më në fund t’i thotë gjermanëve të vërtetën: Greqia nuk do të jetë në gjëndje që të marrë para në tregjet e kapitaleve në shtatë apo tetë vitet e ardhshme dhe duhet që ne ta mbështesim atë deri në atë moment”. Por ky lloj sulmi nuk ka pasur efekte të shumta negative për kancelaren gjemane Angela Merkel e cila është në avantazh përkundrejt ish ministrit të Financave. Në fakt sipas sondazheve të zhvilluara për ‘Bild am Sonntag’, një ditë pas zgjedhjes të Staibryk nga ana e partisë së tij, ky i fundit ka 27% të preferencave përkundrejt 37% të rivales. Gjithmonë sipas Die Welt kancelarja do të kërkonte që të ndryshonte parashikimet europiane pikërisht në takimin e ardhshëm europian të tetorit. Nga ana tjetër Franca kërkon që të jepen direkt ndihmat për bankat në krizë pa kaluar në bilancet publike të vendeve të interesuara. Duket se dy shtetet kryesore të politikës dhe ekonomisë europiane nuk ndajnë të njëjtat strategji. Gjermanët janë të bindur se kriza në vendet e eurozonës ka lindur nga llogaritë publike të çrregullta dhe për mangësinë e kompetivivtetit, të cilat sipas tyre mund të zgjidhen me manovra kursimi por edhe me reforma strukturore por kurrë me para të cilat nuk arrijnëqë të ndryshojnë gjendjen përgjithmonë. Sipas të përditshmes gjermane kjo mund të jetë edhe idea e fundit e qeverisë gjermane dhe kjo mund të bëjë të mundur që të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe sipas të gjitha gjasave do të paraqitet në Këshillin europian që do të zhvillohet në tetor. Disa diplomatë europianë kanë deklaruar për Die Welt se: “fondi i centralizuar është prioriteti numër një për gjermnanët në takimin e ardhshëm”. Në të vërtetë kërkohet që të zëvëndësohet me këtë fond të centralizuar një strukturë e re financimi sepse instrumentat aktualë të eurozonës, sipas qeverisë gjermane, kanë shumë mangësi. Ky fond do të ngrihej nga të ardhurat fiskale të vendeve anëtare duke shtuar për më tepër një taksë për transacionet financiare. Natyrisht që vendet e tjera europiane nuk do të ishin dakord për këtë çështje. Sipas të përditshmes gjermane Die Welt ka rrezik që të krijohen tensione të forta mes vendeve europiane sepse shumë prej vendeve presin rezultate konkrete dhe shikojnë propozimin gjerman si një manovër për mos t’u përballur me problemin qëndror. Natyrisht këtu do të lindnin edhe mospëlqimet. Flitet se dy prej vendeve që nuk do të pëlqenin këtë linjë janë Franca dhe Spanja sepse nëse do të pranohej plani gjerman ky i fundit do të kërkonte një kohë afatmesme pa harruar edhe modifikimet e mundshme të traktakteve europiane. Ja pse këto dy vende do të kundërshtonin propozimin e Gjermanisë. Nga ana tjetër propozimi i tyre do të ishte që të merrnin dritën jeshile për të marrë ndihmat direkt për bankat në krizë pa kaluar nga llogaritë publike të vendeve të interesuara.