E Diel, 1 Nëntor 2026

Eva zgjodhi jetën me ngjyra

Eva Alimehmeti / Foto Shekulli

Jorida Pasku

Eva bashkë me të tjerë 18-vjeçarë që mësojnë në shkolla publike dhe private në Tiranë prezantojnë nga sot deri të mërkurën në galerinë Kledio rreth 30 peizazhe, portrete, natyra të qeta. Ekspozita, e hapur nga ora 9.00-21.00, është rezultat i punës 2-vjeçare në kursin e pikturës që nxënës të shkollave dhe studentë zhvillojnë me piktorin Llambi Blido.

Në fokus të 5 pikturave që ajo ka realizuar janë portretet e përditshmërisë. I zgjedh me kujdes, duke i soditur tiparet që për Evën duhet të thonë diçka për personalitetin e njeriut. Në pikturë të jenë aq reale, sa të duken sikur janë nxjerrë nga fotografia, tregon e reja, në konceptin e së cilës bie qartë në sy ndjeshmëria për intimen dhe ngjyrat e gjalla, të forta, të gëzueshme. Kush sheh pikturat e ekspozitës, kupton përse Eva ka zgjedhur të riprodhojë nga pikturat e artistëve të famshëm, Gosti në bar të Pierre-Auguste Renoir, i pëlqen realizmi i saj, kombinimi i ngjyrave të gjitha të forta, të ngrohta që i japin pikturës një volum Kurse nga de La Tour i bën përshtypje

Marquise de Pompadour dhe nga Da Vinçi Dama me qen. I bëjnë përshtypje fustanet e antikitetit, prerjet dhe stilimet e tyre.

Maturantja do që vitin tjetër të studiojë për dizajn. Çfarë rruge ka ndjekur deri më tani?

Nëntëvjeçaren e ka kryer në kolegjin turk, nga u largua në vitin e fundit për shkak të pagesës që nuk e përballonte dot familja e saj. Pas largimit të të atit nga jeta në një aksident automobilistik në vitin 98, Eva asokohe ishte 4 vjeçe dhe portretin e tij e ka të fiksuar nga fotografitë që ruhen në albumin e familjes, rolin e të dyve e bëri nëna që e ka mbështetur përherë. Penelat e parë u blenë kur shkoi në kursin e pikturës nën kujdesin e Bashkim Dervishit, ku mësoi për mënyrën sesi duhej organizuar një pikturë. Në vitin 2009 u bë pjesë e kursit të Blidos. Ka zgjedhur pikturën se e ndihmon sa herë ka nevojë të çlirohet. Marrëdhënia me të nuk do jetë jetëgjatë, pasi teknologjia duhet se i premton shumë për një punë në të ardhmen.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›