E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evazioni 3 miliardë, hetim 3 subjekteve në Elbasan

Elbasan- Drejtoria e Tatimeve në Elbasan ka dërguar për ndjekje penale 27 subjekte private për mungesë dokumentacioni, ndërkohë që 3 subjekte akuzohen për evazion të madh fiskal. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Tatimeve në Elbasan, Skëndër Daja.

“Tre firma nga Elbasani janë dërguar për ndjekje penale nga tatimoret pasi akuzohen se kanë shmangur detyrimet tatimore me një vlerë rreth 300 milion lekë të reja”- tha ai. Ndaj tyre kanë nisur hetimet dhe çështjet kanë përfunduar në gjykatë, e cila pritet të marrë një vendim.

Krahas kësaj, gjatë një aksioni të policisë tatimore në bashkëpunim me Drejtorinë e Investigimit është bllokuar një sasi prej 1 ton bojëra të cilat qarkullonin pa dokumentin shoqërues. Sipas kreut të tatimeve Skënder Daja, kontrollet në akset rrugore nacionale janë në vazhdim për të mos lejuar qarkullimin e mallrave pa dokumente.

Malli i konfiskuar është vendosur në magazinat e degës së tatimeve nga ku do të dalin në ankand. Firmës nga Tirana që i janë sekuestruar mallrat, do t’i jepet mundësia e para që të riblejë mallrat e sekuestruar dhe më pas do t’i nënshtohen ankandit. Po kështu tatimorët i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë kontrollit të subjekteve të biznesit të vogël mbi xhiron. Kontrollet për matjen e xhiros reale do të përqëndrohen në të gjitha bizneset e vogla të cilat vitin e ardhshëm do t’i nënshtrohen 2 % të xhiros.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›