Evropa e ngrirë nga i ftohti, mbi 160 të vdekur
Evropa ka regjistruar temperaturat më të ulëta në disa dekada, që kanë shkaktuar vdekjen e parakohshme të mbi 100 personave, sipas raportimeve të fundit.
Shumica prej viktimave nga i ftohti janë të pastrehë. Në Serbi, zyrtarët kanë thënë se temperaturat e akullta kanë shkaktuar vdekjen e së paku gjashtë personave, ndërsa janë bllokuar më se 11 mijë banorë të fshatrave.
Policia e Polonisë tha se nëntë vetë kanë vdekur prej së mërkurës, kështu që numri i të vdekurve në këtë vend nga temperaturat e ulta arriti në 29. Viktima ka patur edhe në Rumani dhe Bullgari, Letoni dhe Lituani.
Në Ukrainë, numri i të vdekurve ka arritur në 63, vetëm gjatë ditëve të fundit. Autoritetet thuhet të kenë vendosur mbi 1,700 strehime të ngrohta në gjithë vendin, duke shpërndarë pije dhe ushqim. Një punëtor i Ministrisë së Emergjencave i tha agjencisë Reuters: Njerëzit po vijnë këtu për tu ngrohur dhe për të ngrënë. Nuk kam të dhëna se sa njerëz kanë ardhur, por ata po vijnë gjithë kohën.
Ndërkohë, bora e dendur ka shkaktuar vështirësi në gjithë kontinentin, nga Italia në jug deri te Turqia në lindje. Në Serbi dhe Bosnjë, helikopterët kanë evakuuar dhjetëra njerëz nga fshatrat e bllokuar.