Evropiani i Mundjes në Tiranë, Islam Dudaev merr medalje të argjendtë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Mundësi i Shqipërisë Islam Dudaev nuk ia ka dalë që t’i japë vendit një medalje të artë duke u mposhtur sot në finalen e Evropianit të Mundjes që po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë.
Rusi i natyralizuar në shqiptar iu desh të mjaftohej me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e peshës deri në 65 kilogramë të stilit të lirë u mposht nga rusi Bashir Magomedov me rezultatin 10-0 me pikë. Magomedov dominoi ndeshjen duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi sportistit kuqezi.
Kjo arritje si nënkampion i Evropës, i siguron Dudaev një shpërblim prej 4 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pas Islam Dudaev, i erdhi radha mundësit tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në Kampionatin Evropian të Mundjes që po mbahet në Tiranë. Ai arriti të kualifikohet për në finale në kategorinë e tij në peshën deri në 61 kg, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në raundet e mëparshme, njofton Federata Shqiptare e Mundjes. Abakarov do të përballet të dielën me mundësin Zavur Uguev, për ta sfiduar për medaljen e artë.
Abakarov e nisi konkurrimin në kategorinë e tij me sfidën ndaj italianit Piroddu, duel të cilin e dominoi duke e fituar 10-2. Në çerekfinale Abakarov u përball me mundësin gjerman Stechele, të cilin e mundi me rezultatin 6-2, duke prerë biletën për në gjysmëfinale ku si kundërshtar të radhës kishte Nuraddin Novruzov nga Azerbajxhani, të cilin e mposhti bindshëm 14-3 për të kaluar në finalen e së dielës, në orën 17:15, ku do të përballet me Uguev për të fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 61 kg.
Të dielën mbyllet edhe Europiani i Mundjes, që po zhvillohet në Tiranë.