Kryeqyteti “vishet” bardheblu, Tirana fiton me përmbysje 2 me 1

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryendeshja e javës së 33-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, ajo mes Tiranës dhe Partizanit, u mbyll me fitoren e Tiranës me rezultatin 2-1.
Në minutën e 22-të të pjesës së parë, pas një aksioni model nga krahu i djathtë i sulmit të Partizanit, Sibide kroson dhe Human para portës nuk e pati të vështirë të shënonte.
Rastin më të mirë për të barazuar rezultatin Tirana e pati në minutën e 35-të me Mysloviç, i cili pas një gabimi të mbrojtjes së Partizanit, gjuajti nga mesi i fushës me portën bosh, por pa mundur të gjente rrjetën.
Pjesa e dytë u zhvillua me më shumë ritëm, me raste shënimi nga të dyja ekipet.
Në minutën e 65-të, pas disa rasteve të shpërdoruara më parë nga bardheblutë, Kreshiç shënon me kokë pas një krosi të ardhur nga krahu i djathtë i sulmit nga Alvarez, duke barazuar rezultatin. Ky ishte goli i parë i Kreshiç me fanelën e Tiranës.
Në minutën e 84-rt Alvarez shënon një supergol nga një goditje dënimi jashtë zone, në një pozicion të prirët me portën, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Në minutën e dytë shtesë të lojës Tirana pati një mundësi të mirë për të trefishuar rezultatin, por portieri Qirko “fluturoi”, duke e grushtuar dhe duke shpëtuar për të disatën herë portën e Partizanit.
Me këtë fitore Tirana siguron tri pikë shumë të rëndësishme për t’iu larguar zonës së ftohtë, ndërsa për Partizanin gara me Dinamon për një vend në Final 4 bëhet edhe më e fortë.
Java vijon të dielën, 26 prill, me dy ndeshje të tjera interesante. Teuta do të udhëtojë drejt Ballshit për t’u përballur me Bylisin në ora 16:00, ndërsa Egnatia do të presë Vorën në shtëpi, në një duel që pritet të jetë mjaft i luftuar dhe me rëndësi për ecurinë e të dyja ekipeve.
Në qendër të vëmendjes mbetet edhe sfida mes Elbasanit dhe Vllaznisë, dy skuadra që kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në “Final 4”, por që vijojnë betejën për të grumbulluar sa më shumë pikë në funksion të fazës finale. Kjo përballje do të luhet në “Elbasan Arena” në ora 19:00.
Po në të njëjtën orë, në stadiumin e Vlorës, Flamurtari do të presë Dinamo City-n në një tjetër duel delikat, ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për objektivat e skuadrave në këtë fund sezoni.
Java e 33-të e Abissnet Superiore
Tirana – Partizani, 25 prill, ora 19:00, stadiumi “Air Albania”
Bylis – Teuta, 26 prill 2026, ora 16:00, stadiumi “Adush Muçaj”
Egnatia – FK Vora, 26 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Arena Egnatia”
AF Elbasani – Vllaznia, 27 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Elbasan Arena”
Flamurtari – Dinamo City, 27 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Flamurtari”