E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

F1, drejt garës së Italisë

Imola po përgatitet për garën e Formula 1, Çmimin e Madh të Italisë, i programuar në fundjavën e 22-24 prillit. Pritshmëritë e gjithë tifozerisë së kuqe janë për një rikthim të Ferrarit me fitore të dyfishtë. E publiku do të jetë prezent në Imola, ku shkallët e cirkuitit do të jenë të mbushura plot. Këtë e tregon edhe fakti se biletat për këtë garë janë të shitura thuajse plotësisht. Kjo do të jetë edhe gara e parë evropiane e Formula 1, ku gjatë fundjavës së garës do të nënshkruhet edhe marrëveshja 4 vjeçare, sipas të cilës Imola do të presë garat e Formula 1 deri në 2025.

“Shpresojmë që të jetë një fundjavë feste në Imola dhe fati të na ndihmojë që makinat Ferrari të fitojnë edhe këtu”. Këto janë fjalët e Giancarlo Minardit, themeluesit dhe padronit të skuadrës emiliane, e tani president i cirkuitit të Imolas, ku në 24 prill do të zhvillohet Çmimi i Madh i Formula 1. “Shpresojmë që në Imola të ketë edhe diell, përveç një Ferrari fitues dhe festa do të jetë edhe më e bukur”. Nëse në Melburn ishin mbi 400 mijë spektatorë gjatë gjithë fundjavës, në Imola pritet të ketë më shumë. “Publiku ynë është kërkues, që vjen të shikojë Formula 1 dhe jo për të bërë gjëra të tjera. Nuk mund të shesim bileta për vende që nuk lejojnë që të shihen makinat apo të ndjehet zhurma e motorëve të tyre” – tha Minardi.

Ndërsa përsa i përket nisjes mjaft të mirë të botërorit nga ana e Ferrarit, ai i fton të gjithë të jenë me këmbë në tokë për vazhdimësinë. “Tani po shijoj atë që ka bërë Ferrari dhe këtë epërsi të krijuar. Ne kemi një makinë më të mirë se konkurrentët por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Sekreti i këtij Ferrari është se inxhinierët dhe mekanikët tanë i kanë interpretuar më mirë ndryshimet e rregullores dhe nuk është e vërtetë që ata kishin më shumë kohë se të tjerët. Meritat i shkojnë të gjithë ekipit të Ferrarit” – ka përgëzuar gjithë stafin teknik të Ferrarit, presidenti Minardi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›