FA CUP, hidhet shorti i çerekfinaleve

Veprimtaria e dytë më e rëndësishme e futbollit anglez, por edhe veprimtaria më e vjetër futbollistike në botë, Kupa e Anglisë, e njohur ndryshe si “FA Cup”, ka hedhur të enjten në mbrëmje shortin e çerekfinaleve, duke dhuruar 4 duele intriguese. Këto çerekfinale, do të përcaktohen nga një takim i vetëm, që, sidoqoftë, nëse mbyllet në barazim, luhet edhe një duel tjetër në fushën e skuadrës mike, do të zhvillohen në fundjavën e 20 marsit.
Bornmuthi, Mançester Junajtid, Shefilld Junajtid, Sauthemptoni, Evertoni, Mançester Siti dhe Leister Siti dhe Çelsit ishin pjesë e këtij shorti. Kështu, Mançester Siti do të përballet në çerekfinale me Evertonin, ndërsa Leister Siti do të ndeshet me Mançester Junajtid. Skuadra e Pep Guardiolës është në luftë për trofe në të 4 frontet, pasi kryeson e shkëputur Premier Ligën, është në finale të Kupës së Ligës Angleze, por edhe turin e 16-shes së Ligës së Kampionve. Por Mançester Siti nuk pritet ta ketë të lehtë përballë Evertonit të drejtuar nga trajneri Karlo Ançeloti, që mposhti Totenhemin 5-4 në turin e 16-shes.
Ndërkaq, Mançester Junajtid i trajnerit Ole Gunar Solskjaer mundi Uest Hemin me një gol në koshën shtesë, për t’u kualifikuar në çerekfinale, ku do të përballen me Leister Sitin, që është mundur në 4 finale të Kupës së Anglisë dhe po kërkon triumfin e parë. Çelsit, që ka mundur të enjten në mbrëmje Barnslin me një gol të vetëm, do të përballet me Shefilld Junajtid, kurse Sauthemptoni, që e siguroi kualifikimin me një fitore 2-0 në fushën e Vulverhempton Uondërers, mori si shpërblim një duel në çerekfinale me Bornmuthin.