E Diel, 1 Nëntor 2026

FFKGj, promovim i botimeve të trashëgimisë kulturore

Studiues, specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë, etnografë etj., kanë diskutuar në lidhje me situatën e deritanishme të botimeve në këtë fushë dhe shtimin e titujve të rinj në të ardhmen.

Sipas studiuesve pjesëmarrës në këtë forum, aktualisht janë një sërë tituj periodikësh dhe botime të ndryshme që qarkullojnë përsa i përket elementëve studimorë të trashëgimisë kulturore. Megjithatë sipas tyre numri i këtyre botimeve në të ardhmen duhet të rritet me qëllim jo vetëm studimin por edhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe traditës shqiptare.

Prof. as. Miaser Dibra, drejtore e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, është shprehur se, festa e madhe e artit tonë popullor, u bë shkas për t’u mbledhur të ftuar nga institucionet kërkimore shkencore, brenda e jashtë vendit, njohës e dashamirës të trashëgimisë sonë kulturore, artistët nga të katër anët e Shqipërisë e nga shumë vende ku jetojnë shqiptarë.

“Kënga e vallja po buçasin darkave, në një garë të gjatë të artistëve që janë përgatitur për këtë ngjarje artistike shumë kohë më parë. Performimi i përbashkët në këtë skenë i artistëve, përjetimi i së bukurës së artit e të shpirtit shqiptar, si në një festë të gjatë gati një javore, mendoj se përbën bukurinë dhe vlerën më të madhe të kësaj veprimtarie, më tepër se sa fakti që grupet konkurrojnë ndërmjet tyre për të fituar një garë. Është ndër rastet jo të shpeshta kur mblidhen kaq shumë njerëz të talentuar, për të sjellë, pas përzgjedhjes të shumta, pjesët më të mira të vlerave artistike shpirtërore të artit tonë folklorik”, është shprehur prof. as. Dibra.

Sipas saj, për t’i ruajtur e zhvilluar traditat autentike shqiptare, si kontribut në vend, në rajon e më gjerë, do të shërbejnë tryeza të rrumbullakëta për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit ndërmjet nesh dhe trashëgimisë së vyer.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët, vlerësuan të gjitha botimet mbi folklorin, si monografi, albume, revista etj.

Në fund të takimit u shfaq për herë të parë dokumentari i filmit “Mbi iso-polifoninë”, realizuar nga muzikologu Bajram Lapi.

Sot në mbrëmje performojnë grupet folklorike të Kosovës (grupi i dyte), grupi i Qarkut të Elbasanit dhe Vlorës. Përshëndet grupi përfaqësues i shqiptarëve me banim në Zvicër.

                                                                                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›