FINANCIAL TIMES: Sërish dhimbje pa përfitim
Raporti i Bankës Botërore tërheq vëmendjen e shtypit botëror. Reagon edhe Rama: “Kemi kohë që e ngremë këtë shqetësim”. Interesat që paguajmë për borxhet në nivele të frikshme.
Pain but no gain (Dhimbja pa përfitim). Kështu e titullon shkrimin e tij tek Financial Times Neil MacDonald. Ai i referohet raportit të sotëm të Bankës Botërore.
Me eurozonën në krizë, shtetet e vogla të Ballkanit Perëndimor po përgatiten për një raund tjetër dhimbjesh pa përfitim. Për të ardhmen e afërt, fati i tyre ekonomik do jetë komplet jashtë duarve të tyre. Kështu paralajmëron Banka Botërore. Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do pësojnë tronditje të forta për çdo dridhje financiare në eurozonë, shkruan Financial Times.
Në shkrim thuhet se do përsëritet sërish kriza e kredive dhe bankat mund të tërheqin kapital nga vendet e vogla ballkanike. Kur kriza ekonomike goditi për herë të parë, serbët dhe të tjerë në Ballkan talleshin duke thënë se nuk shqetësohen se janë në krizë që prej njëzet vitesh, shkruan Financial Times.
Në lidhje me raportin e BB ka reaguar edhe kreu i PS, Edi Rama, përmes Twitter-it.
Edhe Banka Botërore tha diçka nga çka ne kemi kohë që themi. Por troç: Financat shqiptare janë në fije të perit, shkruan Rama.
Në raport thuhet se Shqipëria paguan çmimin më të lartë në rajon për borxhin. Në vitin 2010, qeveria shqiptare pagoi 3.4 përqind të Prodhimit Kombëtar vetëm për interesat, kur në ekonomitë e tjera të ngjashme të Ballkanit Perëndimor, ato variojnë nga 0.6 deri në 1.3 për qind. Banka thotë se tkurrja e rritjes ekonomike mund t’i imponojë qeverisë shqiptare të tjera ndërhyrje tek financat publike.
Borxhi i qeverisë shqiptare është 2.2 herë më i lartë se sa të ardhurat që ajo mbledh në një vit, tregues ky ndër më të lartit në botë.