E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË 22 VIKTIMAVE TË “AMBASADËS SOVJETIKE”

25 shkurt 2011

Të dashur familjarë të viktimave të pafajshme të Shkurtit 1951,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja e zotërinj,

Gjatë këtyre njëzet viteve të demokracisë kemi folur e shkruar shumë për krimet e komunizmit. Kemi njohur barbarinë e atij regjimi, urrejtjen e tij ndaj fjalës së lirë, mendimit kritik, vlerave perëndimore dhe patriotike, bindjen absurde tek modeli stalinist i qeverisjes antidemokratike. Për nga natyra e sundimit dhe sjelljes, modeli i diktaturës në Shqipëri ishte unikal, i vetmi që në marrëzinë e tij arriti deri në ndalimin e besimit në zot. Ai ishte një mekanizëm piramidal dhune, erdhi me dhunë, qëndroi me dhunë dhe sundoi me dhunë. Mijëra qytetarë të pafajshëm shqiptarë ishin viktima të tij, kryesisht familjet fisnike dhe intelektuale, familjet e mëdha dhe patriotike, institucionet e dijes dhe të besimit, pra ato segmente që përbëjnë bazën e forcës morale e shpirtërore të një shoqërie. Shkurti i vitit 1951 është prova e gjallë e këtij arbitrariteti.

60 vjet më parë në Tiranë u arshivua një nga aktet më të mëdha kriminale të regjimit komunist. Përmes një aksioni të programuar politik, me lista të zgjedhura midis emrave më të njohur të elitës intelektuale, pa gjyq të rregullt, pa hetime, pa fakte dhe as dëshmitarë, brenda vetëm disa ditëve regjimi arrestoi dhe ekzekutoi kolektivisht 22 qytetarë të pafajshëm. Shumica e tyre ishte diplomuar në universitete perëndimore, ishin personalitete në profesion dhe në shoqëri dhe i përkisnin asaj pjese qytetare, e cila edhe në ditët më të vështira ruajti të paprekur integritetin dhe dinjitetin njerëzor. Faji i tyre i vetëm ishte se ata u përzgjodhën nga krerët e regjimit për t’u flijuar në emër të dashurisë së madhe midis udhëheqjes shqiptare së asaj kohe dhe udhëheqjes sovjetike. Ata u zgjodhën nga rrethe të ndryshme me synimin për të përhapur klimën e terrorit. Urdhëri erdhi nga Byroja Politike, lista erdhi nga Byroja, dënimi erdhi nga Byroja dhe gjithçka tjetër pasuese, arrestimi dhe ekzekutimi erdhi gjithashtu nga segmentet më besnike të regjimit të partisë-shtet.

Ne sot e kujtojmë 26 shkurtin për gjithçka që ajo ditë përfaqëson: vrasjen mizore të 22 qytetarëve të pafajshëm, funksionimin e një mekanizmi shtetëror dhune, diskretitimin e një udhëheqjeje antipopullore dhe antidemokratike, por edhe një nga provat më të qarta të një krimi politik në shkelje të vetë legjislacionit të kohës. Nderimi ynë shkon për ato gra e burra kurajozë, të cilët edhe sot e kësaj dite janë simbole të qëndresës njerëzore dhe të denoncimit të brutalitetit të diktaturës. Me aktin e sotëm të dekorimit, në emër të shtetit shqiptar, dëshiroj të shpreh respektin tim më të lartë për secilin prej tyre, për familjet, fëmijët dhe sakrificat e tyre të shumta. Njëherësh, dëshiroj të shpreh nderimin e thellë për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët me dinjitet dhe kurajo i rezistuan diktaturës apo u bënë viktima politike të saj.

Me këtë rast, dëshiroj të ritheksoj edhe njëherë rëndësinë dhe nevojën e madhe që ka shoqëria shqiptare për të korrigjuar sjelljen e vet ndaj të kaluarës. Ne krenohemi me aktet e disidencës politike, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë, për njohjen më të madhe të së vërtetës të diktaturës, sado e dhimshme qoftë ajo. Brezat e rinj duhet të kenë hapësirën dhe mundësinë të njohin sakrificat e brezave të mëparshëm, dhe në mënyrë profesionale e faktike gjithçka që lidhet me sistemin që lamë pas dhe trashëgiminë negative të tij. Shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të bëjnë akoma më shumë për t’i përjetësuar simbolet e qëndresës, jo me retorikë elektorale, por me veprime konkrete. Forcat politike në Shqipëri, të majta e të djathta duhet të kenë konsensus të plotë në dënimin e krimeve të komunizmit, në realizimin konkret të kompensimit financiar dhe moral të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, si dhe në një plan më të gjerë, në krijimin e një klime politike e publike në pajtim me ato vlera të larta morale dhe aspirata perëndimore që dëshmoi kjo shtresë fisnike e atdhetare.

Duke rikujtuar e nderuar 22 viktimat e pafajshme të shkurtit 1951, por edhe në tërësi brezat e disidencës dhe ish-të përndjekurve politikë, mendoj se shoqëria shqiptare, sidomos ata që marrin vendime në emër të saj, duhet të gjejnë forcë për të punuar pareshtur në instalimin e atyre parimeve dhe standardeve, të cilat garantojnë vizionin e një Shqipërie të zhvilluar dhe evropiane.

Ngjarje të tilla risjellin dhe apelojnë në kujtesën tonë rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor, të frymës kushtetuese dhe mentaliteteve qytetare evropiane, të vokacionit tonë perëndimor dhe të garantimit të qëndrueshëm e pa kushte të çdo të drejte dhe lirie qytetare. Historia e tranzicionit tonë na mëson se institucionet demokratike, të pavarura dhe funksionale, mbeten çelësi i suksesit dhe i zhvillimit të qëndrueshëm politik dhe integrues. Kjo ishte aspirata e atyre që kemi rikujtuar këto ditë, e atyre që nderojmë sot, dhe kam bindjen se kjo është ajo çfarë e bën rrugën tonë evropiane më të shkurtër dhe më të sigurtë.

Edhe njëherë, shpreh nderimin tim personal e institucional për 22 martirët e Shkurtit 1951, për ju, familjarët dhe të afërmit, si dhe për të gjithë ish-të përndjekurit politikë! Edhe njëherë, nderim dhe ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›