E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha gjatë seancës së sotme parlamentare

Kryeministri Berisha në seancën së sotme parlamentare, gjatë së cilës u diskutua propozimi i grupit parlamentar të mazhorancës për ndryshimin e rregullores së parlamentit me qëllim kufizimin e imunitetit parlamentar ndaj ndjekjes penale për veprat e korrupsionit, në fjalën e tij u shpreh: 

“Kloni i Enverit paraqiti këtu apologjinë e korrupsionit. Duhet ti them zotit deputet (Fatmir Xhafa) se, sot për këtë Parlament ky është një nga vendimet e tij më të rëndësishme në 20 vitet e fundit.  Në rast se kjo do të ishte bërë me kohë, nuk do të kishe ndërtuar pallatet që i kanë zënë  gjolin Pogradecit, nuk do të kishe marrë dot pishinat dhe ndaje  paratë me kryetarin tënd.  Në rast se do të ishte bërë me kohë ky vendim, nuk do të ishte shndërruar dot Partia jote në një SH.P.K, ku  80% e lejeve të ndërtimit ju jepen vetëm dy kompanive.   Nuk do të mund të ndodhte kurrë, që të merreshin leje për të ndërtuar qyteza me 52 pallate me Delijorgjin.  Nuk do të mund të ndodhte kurrë, që këtu të uleshin përfaqësuesit kryesor të klaneve të drogës.

Nuk do të mund të ndodhte kurrë, që në 8 vite, tu vidheshin taksapaguesve shqiptarë 1.4 miliard dollarë në vit, siç ka ndodhur gjatë qeverisjes suaj.  Nuk do të mund të ndodhte kurrë që të shiteshin dhe të bliheshin vendet dhe postet siç thonë raportet e Bashkimit Evropian, nga 100 deri në 300 mijë Euro te organet e rendit dhe organet e tjera.  Unë prisja që ju ta mbështesnit këtë vendim, të paktën për  të dëshmuar se jeni të gatshëm për tu shkëputur nga një e shkuar.  Por nga ajo që pamë me 21 janar si forcë e drurit dhe e gurit, e hurit dhe e zjarrit , ju e keni shumë të vështirë të dilni nga ajo guacë në të cilën jeni ruajtur dhe mbrujtur.

Nuk kufizohet asnjë e drejtë e juaja dhe nuk do kufizohet kurrë. Ne ju kemi respektuar ju dhe do ju respektojmë në mënyrë të padiskutueshme, por çdo respekt, çdo e drejtë, do të jetë në përputhje me ligjet e këtij vendi dhe me Kushtetutën.

Ju zotërinj, që sot bëni apologjinë e korrupsionit, do të ishit plotësisht të besueshëm në çdo fjalë në rast se do të kishit depozituar nenin për ndryshimin e Kushtetutës , ofertë të cilën jua bëmë një javë më parë dhe sërish është ofertë e hapur.  Në momentin  që ju do të hartoni nenin për ndryshimin e Kushtetutës, unë  rezervoj të drejtën t’ju falënderoj  me mirënjohje para shqiptarëve. Jo se unë nuk e di se çfarë përfaqësoj, por sepse këtë më imponojnë interesat e qytetarëve shqiptarë, dhe  ato mbizotërojnë gjithmonë mbi mua.

Ndaj dhe i nderuar zotëri, në rast se nuk e ke maskë atë që fole, sill nenin në parlament. Në rast se nuk mbroni pallatet dhe qytezat me imunitetin tuaj sill nenin të ndryshojmë ligjin në Kushtetutë. I keni votat tona të gjitha një më një. 

Kam një deklaratë këtu të kryetarit tuaj më 8 maj 2008, datë që koinçidon  dhe me ditën e disfatës që do të pësojë, ku betohet dhe përbetohet,  se është i gatshëm për çdo ndryshim kushtetues.  Jua propozuam me dhjetëra herë kur bëmë ndryshimet kushtetuese, por vetëm atë nuk e pranoi kurrë, sepse nuk i lëshoi dot pallatet, se çdo pallat është një buxhet për ju “.

***
“Drama është gracka ku shpirti zhvishet si laraska. Parafolësi, ( Gramoz Ruci) dëshmoi se janë kundër heqjes së imunitetit, sepse këtë imunitet e  paska kryeministri dhe se kryeministri qenka i pritur ose e dashka imunitetin për të ndëshkuar opozitën.  Mbrohuni, mbajeni, ne do ta heqim. Por të jeni të sigurtë se do të jenë shqiptarët që do tu japin juve verdiktin  siç ju a kanë dhënë dhe do tu a japin sërish.  Për sa i përket viktimave, i sollët mish për karrige të kryetarit.  Kurrë shpirti i tyre nuk do t’ju ndahet gjer në varr, do t’ju ndjekin.  I sollët për karrigen e kryetrarit dhe u fshehët si minj, nuk dolët dot në krye. Dilni në ballë dhe ju garantoj se ligji dhe Kushtetuta do t’ju japë çdo të drejtë dhe kjo do të behet me vendosmërinë më të madhe, në çdo rast”.


24/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›