E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E PREZANTIMIT TË KRYETARES SË RE TË GJYKATËS SË LARTË, SHPRESA BEÇAJ.

30 tetor 2008

“E nderuar Kryetare e Gykatës së Lartë,
Të nderuar Anëtarë të Gykatës së Lartë,

Kam një kënaqësi dhe një emocion të veçantë sot, pasi vij këtu për të dhënë dekretin publikisht për zonjën Beçaj, e cila mori një numër të konsiderueshëm votash në parlament dhe për këtë e përgëzoj, e uroj, por dhe për të ndarë me ju së bashku pikërisht këtë moment që është shumë i rëndësishëm, jo thjesht për Kryetaren e Gjykatës së Lartë, por për institucionin e Gjykatës së Lartë.

Padyshim, institucioni më i rëndësishëm për të gjithë pushtetin gjyqësor, institucion i cili jo vetëm është në zemër të këtij pushteti por ka një specifikë të veçantë, pasi vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendime të cilat marrin në konsideratë vendimet e Gjykatave të tjera, por mund të gjykojmë edhe çështjen në themel. Sigurisht që imazhi i Gjykatës së Lartë është një imazh që kërkohet të rritet çdo ditë. Padyshim unë do të dëshiroja që të jepja falënderime për të gjithë ju, që për një kohë relativisht të gjatë, nuk ka qenë kohë e shkurtër, keni qenë pa Kryetar, natyrisht jo për fajin tuaj, por gjithsesi, ju e keni treguar se keni qenë një ekip kompakt, një ekip solid, një ekip i përbërë nga profesionistë, që pavarësisht se nuk keni pasur Kryetarin, keni ditur të operoni me vullnet, me moral, me cilësi, gjatë gjithë kësaj periudhe dhe fatmirësisht sot jemi në plotësim të gjithë strukturës së Gjykatës së Lartë, me Anëtarët e rinj të zgjedhur dhe Kryetaren e Gjykatës së Lartë.

Nuk e kam pasur të lehtë që të zgjedh kandidaturën për Kryetar të Gjykatës së Lartë, pasi, për hir të së vërtetës, duke mos iu shkëputur kuptimit të fjalëve që thashë deri tani, midis jush ka pasur kandidatura të denja për të qenë Kryetar i Gjykatës së Lartë. Tek e fundit, një njeri duhet të jetë. Kam vlerësuar tek kandidatura e zonjës Beçaj një karrierë mbi 20-vjeçare në të gjitha shkallët e pushtetit gjyqësor. Eshtë ai binom i famshëm që ne do ta shoqërojmë gjithmonë në të gjitha takimet për ta pronësuar: integriteti dhe profesionalizmi. Dhe unë besoj që tek zonja Beçaj këto dy veti janë kompatibël. Kjo është arsyeja që unë gjeta vullnetin për ta propozuar dhe Kuvendi i Shqipërisë, parlamentarët gjetën vullnetin, me një numër të konsiderueshëm votash, t’i japin pëlqimin dekretit të Presidentit dhe sot ne jemi pikërisht në këtë moment solemn për ta prezantuar dhe për të dhënë dekretin.

Gjykata e Lartë padyshim që ka një rëndësi të veçantë dhe Kryetari natyrisht, jo thjesht për të prezantuar dhe për të ushtruar veprimtarinë në këtë Gjykatë, por edhe në raport me institucionet e tjera. Gjykata e Lartë nuk është një strukturë më vete. Gjykata e Lartë është në infrastrukturën e të gjithë pushtetit gjyqësor, por ajo ka një lidhje të pandashme me pushtetet e tjera dhe me partnerët ndërkombëtarë, sepse jemi në momentet kur Shqipëria është para dy proceseve të rëndësishme, do të thoja madhore për aspiratat e popullit shqiptar. Së pari, jemi në procesin e realizimit të ëndrrës për integrim në Bashkimin Evropian. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, një nga kërkesat kryesore është çështja e reformës në drejtësi. Jemi në fazën intensive kur brenda disa muajsh ne presim që të nënshkruajmë, pasi të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, Protokollin e aderimit me të drejta të plota në NATO. Dhe kryefjala e të gjitha deklarimeve politike, institucionale, por dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është reforma në drejtësi, që është një nga reformat prioritare, nga reformat bazale që ne duhet të realizojmë.

Të thuash reforma në drejtësi, natyrisht është një fjalë, është një ligjëratë, por reforma në drejtësi ka një kuptim të thellë. Reforma në drejtësi nuk është thjesht reformim i veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, por është një sistem kompleks i realizimit të asaj që ne e konsiderojmë si momentin bazë të demokracisë së një vendi, garantimi i shtetit të së drejtës, garantimi i veprimtarisë tepër të rëndësishme të të gjithë sistemit gjyqësor, por meqënëse jemi në Gjykatën e Lartë, veprimtarisë së Gjykatës së Lartë, të fizionimisë së saj, të funksionit të saj dhe të rolit të saj në të gjithë pushtetin gjyqësor, kemi parasysh që reformimi në drejtësi presupozon garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, garantimin e të gjitha kushteve për një ekonomi tregu, e cila tenton çdo ditë të konsolidohet, garantimin e të drejtës së çdo qytetari për të patur drejtësi në një vend të lirë dhe demokratik.

Sigurisht, këto sfida janë sfida të vështira dhe unë do të kërkoja që Gjykata e Lartë të punojë me shumë seriozitet, të zhvillojë aktivitetin e saj, jo thjesht në rutinën e punës së përditshme, por të jetë pjesëtare aktive për tërë këtë proces të reformimit të pushtetit të drejtësisë. Natyrisht, koha kërkon sot që bashkëpunimi të jetë serioz, të jetë intensiv, të jetë i matur, dhe kur them për komunikim institucional, them për një komunikim shumë serioz institucional, jo thjesht një bashkëpunim, i cili në mjaft raste ka ardhur vetëm nëpërmjet një komunikimi mediatik. Media është shumë e rëndësishme, e kemi thënë dhe e themi, por krahas komunikimit mediatik, - sepse publiku ka shumë nevojë që të informohet, - kemi nevojë për një komunikim institucional zyrtar, sepse kush më shumë se sa pushteti i drejtësisë do të punojë dhe do të operojë mbi bazën e korrespondencave, të konsultimeve, të maturimit të një procesi në mënyrë që produkti të dalë i maturuar, të dalë i përfunduar. Të mos jetë e nevojshme që gjërave t’i kthehemi nga e para, nga e para, dhe gjithmonë nga e para, por të jemi në një zhvillim.

Është e natyrshme, ligjet do të ndryshojnë, ligjet do të reformohen, por do të ketë gjithmonë një tendencë progresive të rritjes së performancës të institucioneve që vijnë nëpërmjet realizimit të ligjeve. Unë do të doja që ju të ishit aktivë, sepse Gjykata e Lartë ka një rëndësi të veçantë edhe brenda sistemit gjyqësor, sado inspektime të bëjmë, sado penalitete të japim për gjykatat, sado procese frekuente dhe të kontestuara të kemi në shkallë të tjera, është Gjykata e Lartë ajo që gjykon e fundit, ajo që gjykon mbi bazën e korrektësisë së marrjes së një vendimi, ajo që gjykon mbi bazën e vendosjes në themel të parimeve të drejtësisë. Është shumë e rëndësishme për unifikimin e praktikave, por bashkë me vendimet e unifikuara, kërkohet nga ju që të ketë seriozitet të plotë në marrjen e vendimeve dhe cilësi. Ajo që thashë në fillim, unë mund ta them dhe tani, kam besim të plotë që ju do të dini të punoni në ekip, do të dini të jepni drejtësi në një moment kur të gjithë e shqiptojnë fjalën “drejtësi”, por ata që e prononcojnë dhe e kërkojnë më shumë janë qytetarët e thjeshtë. Kështu që punoni në këtë linjë, sepse po garantuat drejtësi për qytetarët e thjeshtë, keni vendosur në piketa të forta të gjithë shtetin ligjor, shtetin e së drejtës dhe atëherë ne do të jemi të qetë që do të shkojmë me standarte të plotësuara në rrugën tonë euroatlantike, të padiskutueshme, por për ta arritur sa më shpejt të jetë e mundur.

Dhe e fundit, ajo që e kam thënë dhe herë të tjera, atë që s’po e them vetëm unë, por e thonë shumë aktorë institucioanlë dhe partnerë ndërkombëtarë, është momenti të rishprehim edhe njëherë nevojën për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Mos mendoni që pavarësia realizohet me një fjalë goje. Edhe tek vetë personi duhet të jetë koshienca e plotë që të fitojë pavarësinë individuale mbi bazën e zbatimit korrekt të ligjit, mbi bazën e zbatimit korrekt të të gjithë parimeve të profesionit të gjyqtarit, pastaj të krijohet mjedisi, të krijohen të gjitha kushtet që ne, dita-ditës të fitojmë betejën e pavarësimit dhe beteja e pavarësimit është konsolidim i institucioneve. E rëndësishme është që tendenca të jetë në progres dhe unë jam i bindur që secili nga ju e ka në vetvete tharmin e pavarësisë dhe këtë duhet të bëjmë pavarësi institucionale. Me kalimin e viteve, pushtetet duhet të ndahen, por të ndahen duke kooperuar dhe pastaj do të bëjmë të mundur realizimin e asaj ëndrre për të cilën po punojnë të gjitha pushtetet – ajo që thashë pak më parë – që të integrohemi sa më shpejt në familjen evropiane, në NATO, sepse atëherë standartet tona garantohen edhe nga bashkëpunimi institucional ndërkombëtar.
Unë të uroj dhe njëherë zonja Shpresa, suksese në detyrë! Ju uroj dhe juve suksese të gjithë së bashku, si një ekip i kompletuar, të realizoni punë me kualitet. Urime!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›