E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon z. Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA

 Sot, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, priti në një takim zotin Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA

Zoti Berisha i shprehu zoti Jones mirënjohjen më të thellë për Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane, për ndihmën historike që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryeministri theksoi se ratifikimi në Senat dhe firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përbëjnë ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që nga njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA.

Kryeministri shprehu falënderimet e tij për ndihmën e pa kursyer amerikane në luftën kundër krimit të organizuar korrupsionit etj. dhe në projekte konkrete si, Llogaria e Mijëvjeçarit, si dhe e njohu zotin Jones me zhvillimet dhe përparimin e reformave në të gjitha fushat në vend.

Më tej, ai theksoi se ngjarje madhore për vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e përgjithshme dhe se qeveria shqiptare është e vendosur  të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve. Kryeministri siguroi se qeveria po përgatit regjistrin dixhital të shtetasve, kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike.

Po ashtu, z. Berisha e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Kryeministri dhe qeveria e tij mbeten të angazhuar e të përkushtuar për ligje të standardeve më të mira, për konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe për luftën me tolerance zero kundër krimit dhe korrupsionit.

Takimi ishte në një frymë të hapur dhe miqësor. 


29/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›