E Martë, 3 Nëntor 2026

FMN: Forca e lekut vjen kryesisht nga faktorë ekonomikë të qëndrueshëm

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një mbiçmim të vazhdueshëm të monedhës vendase.

Kjo situatë e krijuar ka nxitur ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryejnë një studim për rastin e Shqipërisë, mbi faktorët që e shkaktojnë këtë vlerësim dhe si të kalibrohen përgjigjet e duhura të politikës.

“Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur, në zhvillim, me një regjim të targetimit të inflacionit. E mbështetur nga performanca e fortë makroekonomike në kuadër të një bumi turistik, leku shqiptar ka ndjekur një tendencë të qëndrueshme forcimi. Për të frenuar presionet e forcimit, Banka e Shqipërisë (BoA) ka ndërhyrë fuqishëm në tregun e këmbimit valutor gjatë 9 muajve të parë të vitit 2024 që ka arritur në 2.6 % të PBB-së nominale të vitit 2023, gati tre herë më shumë se periudha e njëjtë në vitin 2023.

Duke u mbështetur në njohuritë e ofruara nga korniza e integruar e politikës së FMN-së (IPF), studimi shqyrtoi ndërhyrjen në tregun e këmbimit valutor (FXI) në Shqipëri, nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa rezultatet e vlerësimit konfirmojnë natyrën e cekët të tregjeve valutore vendase, vlerësimi i lekut është gjetur se është drejtuar kryesisht nga faktorë themelorë, duke bërë që politika e normës së interesit të jetë një mjet i përshtatshëm politik.

Sidoqoftë, sipas FMN-së, në raste të veçanta kur forca e lekut përkeqësohet edhe nga faktorë të paparashikueshëm, si ndryshimi i interesit të investitorëve të huaj, ndërhyrja në tregun valutor mund të ndihmojë për të balancuar ndikimin në ekonomi dhe inflacion.

Sipas studimit, tregu valutor shqiptar është ende i cekët (jo shumë i zhvilluar), por forca e lekut kryesisht vjen nga faktorë ekonomikë të qëndrueshëm.

Prandaj, sipas studimit, përdorimi i normës së interesit (politikë monetare normale) është mënyra e duhur për të reaguar.

Ekspertët e FMN theksojnë se, me një volum vjetor prej rreth 11 miliardë dollarësh amerikanë, tregu valutor në Shqipëri mund të konsiderohet i cekët, krahasuar me mesataren e xhiros në tregjet në zhvillim, prej rreth 52 miliardë dollarësh në vit.

Për të frenuar presionet mbiçmuese, Banka e Shqipërisë (BSH) ndërhyri në tregun valutor duke blerë valutë të huaj, me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase.

Kursi mesatar i këmbimit euro- lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023.

Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024.

Analiza e ekspertëve të FMN del në përfundimin se kursi i këmbimit duhet të vazhdojë të luajë rolin e tij si amortizues i goditjeve të jashtme në ekonomi dhe ndërhyrjet në kursin e lirë duhen përdorur vetëm për të zbutur ndikimin e goditjeve që vijnë nga faktorë jothemelorë.

Modelet e vlerësimit të FMN-së tregojnë se mbiçmimi i lekut ka qenë historikisht i nxitur kryesisht nga faktorë themelorë, ndërsa faktorët kalimtarë jothemelorë kanë luajtur një rol modest në disa episode.

Studimi rekomandon ruajtjen e regjimit të lirë të kursit të këmbimit, duke u mbështetur në politikat e normave të interesit si mjeti kryesor për stabilitetin e çmimeve.

Në rastet e goditjeve jothemelore, analiza sugjeron se ndërhyrjet mund të jenë të dobishme, duke ulur luhatshmërinë e inflacionit.

Megjithatë, autoritetet duhet të vlerësojnë me kujdes efektet e mundshme të pafavorshme nga ndërhyrjet (dhe nga akumulimi i mëtejshëm i rezervës valutore), duke përfshirë rreziqet për bilancin e bankës qendrore, transmetimin e normave të interesit dhe zhvillimin e tregut financiar. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›