FMN: G20 të përshpejtojë ndihmën për ristrukturimin e borxhit të vendeve të varfra

Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, i kërkoi sot G20-ës të përshpejtojë zbatimin e kornizës së përbashkët për ristrukturimin e borxhit të vendeve më të varfra.
“Ne duhet të përshpejtojmë zbatimin e kornizës së përbashkët të G20-ës”, tha Georgieva, në një postim në blog, përpara takimit të G20-s gjatë fundjavës në Romë.
“Angazhimi i hershëm me të gjithë kreditorët, përfshirë sektorin privat, si edhe koha më e shpejtë për shlyerjen e borxhit, do të bëjë ndryshim në rolin dhe atraktivitetin e kornizës së përbashkët”, shtoi kreu ekzekutiv i FMN-së.
Në fillim të pandemisë, vendet e pasura të G20-ës u kishin ofruar vendeve të varfra një moratorium për pagesat e shërbimit të borxhit deri në fund të vitit, përpara se ta zgjasnin atë deri në fund të vitit 2021.
Paralelisht me këtë iniciativë për pezullimin e shërbimit të borxhit (ISSD), ata kishin krijuar, në nëntor 2020, një “kornizë të përbashkët” për të ristrukturuar apo edhe anuluar borxhin e vendeve që do ta kërkonin atë.
Por, tani për tani, kreditorët privatë, veçanërisht kinezët, po frenojnë zbatimin e tij./ATSH