E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Lufta po shkakton një dëm të rëndë në ekonominë e Libanit

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se se lufta e Izraelit kundër Libanit dhe tensionet më të gjera rajonale kanë shkaktuar një “dëm të rëndë” në ekonominë e vendit dhe në kushtet e jetesës.

Pas një misioni katër-ditor në Bejrut, FMN theksoi se inflacioni mbetet në dy shifra, ndërsa deficiti i llogarisë korente të Libanit është zgjeruar, i nxitur kryesisht nga rritja e kostove të energjisë.

Organizata vuri në dukje gjithashtu dëmtimet e gjera në infrastrukturë dhe banesa, zhvendosjen e brendshme në shkallë të gjerë dhe përkeqësimin e ndjeshëm të kushteve të jetesës për personat e zhvendosur.

Pavarësisht ndikimit të konfliktit, FMN theksoi se autoritetet libaneze kanë ruajtur një masë stabiliteti makroekonomik përmes politikave të kujdesshme fiskale dhe monetare.

Sipas FMN-së, Libani do të ketë nevojë për një kornizë të besueshme fiskale afatmesme për të rivendosur qëndrueshmërinë e borxhit, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për shpenzime në rindërtim, mbështetje për personat e zhvendosur dhe mbrojtje sociale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›