FMN i kërkon Bodes të ul borxhin nën nivelin 60 %
Kriza financiare, ministri Bode raporton 2 orë para ekspertëve të FMN dhe BB
Ministri i Financave Ridvan Bode është mbyllur dje në zyrën e tij për rreth dy orë, ndërsa është takuar me ekspertë të FMN dhe BB. Mes tyre është folur për situatën e vështirë financiare të buxhetit të shtetit shqiptar, ku treguesit e gjashtëmujorit të parë janë negativ dhe me mosrealizime të ndjeshme. Ndërkohë edhe mundësia për të marrë masa stimuluese për ekonominë në javët e ardhshme është shumë e kufizuar për qeverinë aktuale.
Ekspertët e huaj
Ekspertët e FMN dhe BB, në kuadër të misionit të tyre për të kontrolluar sistemin financiar shqiptar, trokitën në zyrën e ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe për rreth dy orë ata janë njohur me zhvillimet dhe politikat fiskale të ndërmarra muajt e fundit nga qeveria. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, gjatë takimit është diskutuar mbi politikat fiskale dhe kostot e tyre, nivelin e borxhit publik dhe menaxhimin e tij, deficitin fiskal për vitin 2013, duke përfshirë zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe në çfarë pike ngadalësimi i rritjes ekonomike ka prekur këto zëra.
Borxhi
Gjithashtu po sipas të njëjtave burimeve nga ekspertët e huaj, është kërkuar informacion se cilat janë manovrat fiskale që do të përdoren për të ulur borxhin nën nivelin 60 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Reformat strukturore dhe politikat për të përmirësuar klimën e biznesit dhe rritur tërheqjen e investitorëve të huaj, reforma në sistemin energjetik, ulja e informalitetit në ekonomi dhe rritja e konkurrueshmërisë, kanë qenë dhe disa nga temat kryesore të diskutuara gjatë këtij takimi. Edhe pse nuk ka një axhendë publike se kush janë zyrtarët që do të kontaktohen nga ky mision, dy ditë më parë ka qenë guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, i cili ka hapur siparin e takimeve të ekspertëve të këtyre institucioneve financiare.
Misioni i huaj
Ky mision pritet të ofrojë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për tu zhvilluar më tej. Takimet do të mbyllen sot në Tiranë, ndërsa veçmas nga ky proces, një mision tjetër ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Shqipërinë në fund të muajit shtator 2013. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë si dhe diskutimi me Qeverinë dhe Bankën Qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Kjo vizitë do të jetë pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti.
Ekspertët: Rikthimi i FMN rrit besimin te investitorët
Rikthimi i marrëdhënies së qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, është kthyer tashmë, në një debat mes forcave politike dhe qarqeve ekonomike. Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, ndërsa ka folur dje në media është shprehur se rivendosja e marrëdhënieve me FMN-në, është e domosdoshme dhe do të rriste besimin e sipërmarrësve të huaj për të investuar në vendin tonë. Ndërkohë pak kohë më parë edhe vetë kreu i PS, Edi Rama, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm me formimin e qeverisë së re, (duke nisur nga mesi i muajit shtator), është shprehur se, do të kërkojë që krahas auditimit ndërkombëtar për financat publike, të rivendosë marrëdhënie të re me këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar.