FMN jep alarmin: Lufta në Iran kërcënon ekonominë globale me rritje të inflacionit dhe tkurrje të prodhimit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se pasojat e konfliktit të armatosur në Iran mbi ekonominë botërore do të varen drejtpërdrejt nga kohëzgjatja, intensiteti dhe shtrirja gjeografike e tij. Në një kohë kur tregjet po përballen me pasiguri të shtuar, institucioni kryesor financiar ndërkombëtar kërkon reagim të matur dhe të kujdesshëm nga politikëbërësit.
Gjatë një komunikimi për mediat, zëdhënësja e FMN-së, Julie Kozack, u bëri thirrje bankave qendrore në mbarë botën të rrisin vigjilencën përballë luhatjeve të çmimeve të energjisë. Sipas saj, rreziku kryesor mbetet fakti që, nëse këto çmime mbeten të larta për një periudhë të zgjatur, kjo goditje do të përkthehet në mënyrë të pashmangshme në një rritje të re të inflacionit global.
Kostoja e konfliktit në shifra
Për të ilustruar peshën e situatës, FMN ka paraqitur projeksione konkrete mbi ndikimin e tregut të karburanteve. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të Fondit, çdo rritje e qëndrueshme prej 10% e çmimeve të naftës—nëse vazhdon me të njëjtin ritëm deri në fund të vitit—rrezikon të rrisë inflacionin global me 40 pikë bazë. Paralelisht, kjo goditje energjetike pritet të shkaktojë një tkurrje të prodhimit global me rreth 0.1%.
Evropa sërish në vijën e parë të goditjes
Kozack theksoi në mënyrë të veçantë se Evropa mbetet ndër rajonet më të ekspozuara dhe po goditet rëndë nga faturat e larta të energjisë, duke e bërë situatën ekonomike në kontinentin e vjetër mjaft delikate.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve të alarmit për ekonominë e gjerë, zëdhënësja e FMN-së sqaroi se deri në këto momente, institucioni nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga vendet anëtare për aktivizimin e fondeve të emergjencës për të zbutur pasojat e këtij konflikti.
/rtsh.al/