E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba deri në 10 milionë euro dhe skanim pronësie, zbardhet ligji i ri për transparencën në tregun e kapitalit

Qeveria shqiptare ka bërë një hap të ri drejt disiplinimit të tregjeve financiare dhe përafrimit të tyre me standardet e Bashkimit Evropian. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar një projektligj të ri “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”, i cili synon t’i japë fund asimetrisë së informacionit dhe abuzimeve të mundshme në tregun e kapitalit.

Drafti, i cili i jep kompetenca të zgjeruara Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vendos rregulla të hekurta për të gjitha ato kompani që tregtojnë tituj (aksione apo obligacione) në tregjet e rregulluara, duke i detyruar të operojnë me dyer plotësisht të hapura për publikun dhe investitorët.

Raportim periodik dhe gjurmim i fijeve të pronësisë

Në thelb të projektligjit qëndron detyrimi për të shmangur mbajtjen e sekreteve financiare nga sytë e aksionarëve dhe tregut. Kompanitë e listuara do të jenë të detyruara të publikojnë raportet e tyre financiare vjetore jo më vonë se 4 muaj nga mbyllja e vitit financiar, si dhe raportet gjashtëmujore brenda 3 muajve. Këto dokumente nuk do të jenë thjesht deklarative; ato duhet të shoqërohen detyrimisht me opinione auditimi dhe deklarata të përgjegjësisë ligjore nga bordet drejtuese.

Një tjetër risi me peshë është detyrimi i njoftimit të menjëhershëm për lëvizjet e zotërimeve të mëdha. Çdo lëvizje kapitali apo blerje aksionesh që kalon pragun e 5% (dhe në vijim 10%, 15% e deri në 75%) të të drejtave të votimit, duhet të raportohet te AMF dhe të publikohet pa vonesë. Ky rregull vlen jo vetëm për aksionet e drejtpërdrejta, por edhe për “instrumentet e tërthorta” financiare që japin një efekt ekonomik të ngjashëm, duke goditur skemat që mund të fshehin kontrollin real mbi një kompani.

Sanksione drakoniane për shkelësit e tregut

Ajo që bie më shumë në sy në këtë projektligj është ashpërsia e masave ndëshkuese, të cilat janë modeluar sipas Direktivës Evropiane të Transparencës. Për shkeljet e rënda që cenojnë integritetin e tregut, si fshehja e informacionit financiar apo vonesat e qëllimshme, AMF do të ketë tagrin të vendosë gjoba që mund të arrijnë deri në ekuivalentin në lekë të 10 milionë eurove.

Për më tepër, sanksionet financiare mund të përllogariten edhe si 5% e xhiros vjetore të kompanisë, ose deri në dyfishin e fitimit të nxjerrë (apo humbjes së shmangur) nga veprimi i jashtëligjshëm. Gjobat nuk kursejnë as individët përgjegjës brenda kompanive (drejtorë apo administratorë), për të cilët penalitetet mund të shkojnë deri në 2 milionë euro.

Regjistër qendror dhe porta drejt Evropës

Për t’i bërë të dhënat lehtësisht të qasshme, ligji parashikon krijimin e një Mekanizmi Zyrtar të Ruajtjes Qendrore të informacionit. Ky sistem dixhital, i cili do të monitorohet nga AMF, garanton akses falas për çdo investitor. Më e rëndësishmja, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ky regjistër kombëtar do të integrohet drejtpërdrejt me Pikën e Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP), duke i vendosur kompanitë shqiptare në hartën e investitorëve ndërkombëtarë.

Ky kuadër i ri ligjor pritet të rrisë ndjeshëm besueshmërinë e tregut të kapitalit në vend, duke tentuar ta kthejë atë në një alternativë reale për financimin e ekonomisë, e cila deri më sot mbetet thellësisht e varur nga kreditimi bankar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›