E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN qetëson tregun: Spanja, në rrugë të mbarë

Sipas kreut të FMN-së, vendi nuk ka nevojë për një asistencë të tipit grek

“Spanja është duke marrë masat e duhura për një stabilitet ekonomik”, ka deklaruar shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Domenik Staruss-Kahn, i cili u takua të premten me udhëheqësit spanjollë në lidhje me problemet financiare që po kalon ky vend.

Ka pasur mjaft spekulime se Spanja do t'i kërkojë FMN-së dhe BE-së një paketë ndihme financiare të ngjashme me atë të Greqisë. Duke folur gjatë një konference për shtyp me Strauss-Khan, Kryeministri spanjoll, Hose Luis Rodriguez Zapatero, tha se vendi i tij kishte treguar angazhim për të kryer të gjitha reformat e nevojshme për të zvogëluar borxhin e madh vendas. Shefi i FMN-së tha se Madridi ishte duke marrë masat e duhura për rimëkëmbjen ekonomike. Kryeministri spanjoll i ka hedhur poshtë zërat se mund të kërkojë ndihmë dhe ka thënë se ekonomia spanjolle është solide dhe e qëndrueshme. Gjatë një samiti këtë javë në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Europian vendosën të publikojnë rezultatet e një testi që tregon se si bankat do t’i përballonin goditjet financiare. Në përpjekje për të shmangur krizat e ardhshme, ata gjithashtu u pajtuan që të rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe të imponojnë sanksione më të ashpra ndaj vendeve që shkelin rregullat buxhetore. Ky, tha presidenti i Këshillit Europian, Hermann van Rompuy, është një ndryshim i mirëseardhur. Pas disa muajsh shqetësimesh, ky ishte samiti i parë normal i BE-së. "Axhenda jonë ende dominohet nga kriza financiare, ajo ekonomike, kriza monetare në një formë, problemet nuk kanë përfunduar, por ne tani treguam përcaktimin tonë të fortë politik për të ruajtur stabilitetin e euros", tha z.Rompuy. Me borxhet publike në Europë, liderët e BE-së shtruan plane për zgjidhje afatgjata; mbikëqyrje më të afërt të buxheteve kombëtare dhe ndëshkime më të ashpra për vendet që nuk u binden këtyre rregullave. Dhe ata hodhën poshtë njoftimet se Spanja, ekonomia e pestë më e madhe në Eurozonë, kishte nevojë për paketë shpëtimi. Kryeministri spanjoll tha se transparenca është mënyra e vetme për të luftuar shqetësimet dhe ato që ai i quajti spekulime. Spanja tha se së shpejti do të bënte publike rezultatet e testeve që tregojnë se si bankat do të reagonin në rast të goditjes së papritur financiare. Tani, me tejkalimin e ngurrimit të Gjermanisë, të gjitha vendet thanë se do të bëjnë të njëjtën gjë deri në fund të korrikut. është një hap i pashembullt, me të cilin liderët evropianë shpresojnë se do të rikthejnë besimin e tregjeve në euron e goditur. Të nxitur nga Franca dhe Gjermania, udhëheqësit e BE-së janë pajtuar gjithashtu të imponojnë vendosjen e një takse në bankat e tyre për të ndihmuar pagesat për çfarëdo krize të ardhshme. Por ata e dinë se në samitin e ardhshëm të G20-s do të kenë punë të vështirë për të bindur të gjithë partnerët, si Japoninë dhe Kanadanë, të ndjekin shembullin e njëjtë. Islanda ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit me BE-në, ndërsa Estonia për të miratuar përdorimin e euros nga janari. Ky është një sinjal, që pavarësisht problemeve aktuale, Bashkimi Europian dhe valuta e tij e përbashkët mbesin alternativë tërheqëse.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›