Gjykata dënon denoncuesit e abuzimit të Pangos

Absurdi më i madh në drejtësinë shqiptare ka ndodhur dje kur gjyqtari Agim Bendo ka penalizuar gazetarinë investigative, duke marrë në mbrojtje një nga rastet më flagrante të abuzimit me detyrën në administratën shtetërore, të dënuar në unison nga publiku, krerët e shtetit dhe politika. Gjyqtari Agim Bendo është shprehur kundër emisionit “Fiks Fare”, duke i dhënë të drejtë padisë së ish-ministrit Ylli Pango, edhe pse ajo nuk vërtetohet në asnjë moment.
Në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, për rreth një orë gjyqtari Bendo lexoi vendimin për çështjen “Pango”, duke penalizuar në mënyrë absurde me 400 mijë euro televizionin “Top Channel” dhe duke e cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut, të privatësisë dhe dëmtimin emocional të shtetasit Ylli Pango, skandalin që denoncoi emisioni “Fiks Fare” më shumë se një vit më parë. Kreu i trupit gjykues, Agim Bendo, në vendim iu referua kryesisht pretendimeve të palës paditëse, duke nënvizuar se ish-zyrtarit Pango i ishte shkaktuar tronditje shpirtërore, ankth, trishtim, përveçse dëmtim moral të figurës së ministrit dhe profesorit, sikurse thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjyqtari nuk ka marrë aspak parasysh profilin investigativ të emisionit “Fiks Fare” dhe përveçse paragjykoi filmimet, ai shkoi më tej duke thënë se ato duhet të merreshin me dijeninë e Ylli Pangos, pasi sipas tij, ai shfaqet në këto filmime në çaste private.
“Konstatohet se ka xhirime të ambienteve të brendshme të banesës private, ambiente ku Pango shfaqet me rroba shtëpie, po kështu konstatohet se ka xhirime të zyrës në ministri ku punonte. Në sekuencat e videove të transmetuara shfaqet teksti i SMS-ve të realizuara me titra nga celulari i tij”, tha gjyqtari, duke shtuar më pas: “Regjistrimit audiovizive të transmetuara në emisionin ‘Fiks Fare’ janë kryer nga gazetarët e palës së paditur në mënyrë të fshehtë dhe pa pëlqimin e paditësit Ylli Pango, ndonëse ato paraqesin një informacion shumë personal e privat në lidhje me personin e tij”.
Nuk dihet pse në cilësimin si fajtor të “Top Channel”, gjykatësi iu referua zotit Pango si individ, ndërsa kur caktoi masën e dëmshpërblimit që “Top Channel” duhet t’i paguajë Ylli Pangos, në mënyrë absurde kreu i trupit gjykues iu referua përvojës akademike të Pangos, profilit politik dhe postit të ministrit. Agim Bendo tha se pamjet filmike të transmetuara ishin si pasojë e insistimeve të vazhdueshme dhe të provokimeve të “Top Channel”. Vendimi i gjykatës përbën një rast të paprecedentë, ku pavarësisht se opinioni publik dënoi veprimet e Ylli Pangos, duke e cilësuar si një abuzim të pastër me detyrën, ndërsa gjyqtari dënon denoncuesin e këtij skandali.
Pamjet filmike të transmetuara detyruan Kryeministrin që në harkun e katër minutave të shkarkonte ministrin e atëhershëm të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa për shkarkimin e tij në Parlament nuk pati asnjë votë kundër, apo abstenim.
Këtu është rasti të përmendim se vetëm në dy raste të tjera Kuvendi ka marrë vendime unanime, në votimin për Kosovën dhe për atë të NATO-s.
Në kohën kur skandali shpërtheu, Kryetarja e Parlamentit dënoi publikisht veprimet e zotit Ylli Pango. “është shumë e rëndë. është shumë e turpshme. është shumë e papranueshme”, tha zonja Topalli në atë kohë. Ndërkohë që në pamjet filmike shfaqin qartë abuzimet e ish-ministrit me detyrën.
Pas këtij vendimi, duke menduar se një gjyqtar si Agim Bendo nuk përfaqëson drejtësinë, “Top Channel” nuk do të kursejë rekursin në Gjykatën e Apelit për të vënë në vend drejtësinë, e cila në Shkallë të Parë të gjyqësorit, në një rast aq flagrant dhe aq të paprecedentë si ai i zotit Ylli Pango, rreshtohet në krah të abuzimit me detyrën të një zyrtari të lartë qeveritar.
#