E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Afganistani dhe Pakistani shkëmbejnë sulme, rindizen tensionet

ISLAMABAD, 27 prill /ATSH/- Përleshjet ndërkufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë shkaktuar viktima në të dyja anët, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve pavarësisht një armëpushimi të fundit.

“Në Afganistan, të paktën tre persona u vranë dhe 45 të tjerë — përfshirë fëmijë — u plagosën sot nga sulme me raketa të kryera nga Pakistani në provincën Kunar”, njoftoi sot një zyrtar lokal për “TOLOnews”.

Nga ana pakistaneze, tre civilë raportohet se u plagosën nga të shtënat me armë zjarri.

Një zëdhënës i forcave kufitare të Pakistanit e përshkroi incidentin në Uaziristanin Jugor si përplasjen më të rëndë, që nga shpallja e armëpushimit më shumë se një muaj më parë.

Sipas burimeve të “TOLOnews”, forcat pakistaneze qëlluan dje për vdekje një fëmijë pranë pikës kufitare “Friendship Gate”, në kufirin Afganistan–Pakistan, afër qytetit afgan, Spin Boldak.

Forcat talebane më pas u përfshinë në luftime me trupat pakistaneze në Spin Boldak, duke nxitur raundin e fundit të përplasjeve.

Tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit janë rritur në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të kaluar, me përleshje si përgjatë kufirit ashtu edhe në zona urbane.

Në shkurt, Pakistani deklaroi se ndodhej në një gjendje lufte të hapur me Afganistanin.

Përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve kanë përfshirë edhe Kinën, ndërsa bisedimet e fundit në Urumqi janë përshkruar nga të dyja palët si, konstruktive dhe të fokusuara në një zgjidhje më të gjerë.

Në përpjekjet ndërmjetësuese janë angazhuar gjithashtu Arabia Saudite, Katari dhe Turqia.

Pakistani akuzon Afganistanin se mbështet Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), një pretendim që është hedhur poshtë nga Kabuli.

Një raport i Kombeve të Bashkuara thekson se Pakistani nuk ka paraqitur prova se autoritetet talebane kanë drejtuar sulmet e TTP-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›