FOKUS – Australia shqyrton ligje më të ashpra për armët pas sulmit në plazh

SIDNEJ, 15 dhjetor /ATSH-DPA/- Qeveria e Australisë ka bërë të ditur se do të shqyrtojë shtrëngimin e mëtejshëm të ligjeve, tashmë të rrepta për armët, pas një sulmi të përgjakshëm me armë zjarri gjatë një festivali hebre në plazhin ”Bondi” të Sidnejit.
Kryeministri Anthony Albanese deklaroi sot se qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në përgjigje të asaj që autoritetet e kanë cilësuar si një sulm terrorist antisemit.
Nga sulmi humbën jetën 16 persona, të moshave nga 10 deri në 87 vjeç.
Njëri nga dy autorët e dyshuar u vra nga policia.
Sipas autoriteteve shëndetësore, një ditë pas sulmit ndaj një aktiviteti të Hanukkas në plazhin e njohur, 27 persona mbetën të shtruar në spital, prej të cilëve gjashtë në gjendje kritike.
Duke folur pas një mbledhjeje emergjente të kabinetit Albanese tha se policisë dhe prokurorisë u është kërkuar të hartojnë opsione politike, ndonëse ende nuk është rënë dakord për reforma konkrete.
Masat që po shqyrtohen përfshijnë ndalimin e armëve që mund të prodhohen me printerë 3D, kufizimin e numrit të armëve që mund të zotërojë një individ, forcimin e kontrolleve mbi importin e armëve dhe kufizimin e licencave të armëve vetëm për shtetasit australianë.
“Rrethanat e njerëzve mund të ndryshojnë, njerëzit mund të radikalizohen me kalimin e kohës dhe licencat nuk duhet të jenë të përjetshme”, tha Albanese.
Sulmi i i djeshëm tronditi Australinë dhe ishte incidenti më vdekjeprurës me armë zjarri në vend në tri dekadat e fundit.
Australia miratoi ligje gjithëpërfshirëse për kontrollin e armëve pas një masakre në Port Arthur, Tasmani, në vitin 1996, ku u vranë 35 persona./ /Ad.Ab./