FOKUS – BE monitoron nga afër situatën në Iran, pas incidentit me helikopter të presidentit Raisi

BRUKSEL, 19 maj /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian po vëzhgon me kujdes situatën në Iran, pas raportimeve për një incident që përfshin një helikopter që kishte në bord presidentin iranian, Ebrahim Raisi.
“Po ndjekim nga afër raportimet se helikopteri me presidentin iranian dhe ministrin e Jashtëm është detyruar të ulej papritur”, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në platformën e mediave sociale X.
”Gjendja e të dy politikanëve iranianë nuk është ende e qartë”, shtoi Michel.
“Së bashku me vendet anëtare dhe partnerët e BE-së, ne po monitorojmë situatën nga afër”, tha ai.
Një helikopter me presidentin iranian Ebrahim Raisi në bord u desh të bënte një ulje emergjente në perëndim të vendit të dielën, njoftuan mediat shtetërore.
Fillimisht ishte e paqartë nëse Raisi mbeti i plagosur në aksident.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian raportohet se ishte gjithashtu në bord.
Disa media raportuan një “ulje të vështirë”, të tjera një “përplasje”.
Si rrjedhojë, nuk ka informacion të saktë për situatën në terren.
Në rrjetet sociale thuhej se si presidenti ashtu edhe ministri i Jashtëm ishin plagosur.
Raisi u betua si presidenti i ri i Iranit në gusht 2021./ a.jor.