FOKUS – Ballkani, një front i përbashkët përballë sfidave globale

TRIESTE, 10 shtator /ATSH-ANSA/ – Porti i Triestes kërkon integrimin e Ballkanit në projektet e zhvillimit ekonomik. Në një skenar krize ndërkombëtare, integrimi i pjesës ballkanike në projekte zhvillimi ekonomik është thelbësor, deklaroi presidenti i Autoritetit të Sistemit Portual të Detit Adriatik Lindor, Marco Consalvo i pranishëm në konferencën “Ballkani takohet në Trieste”.
Konferenca u organizua nga agjencia e lajmeve italiane, ANSA në kuadër të Asamblesë së 34-t të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SE) në bashkëpunim me Rajonin Friuli Venezia Giulia dhe Nismën e Evropës Qendrore (CEI).
Komunikimi strategjik lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe lufta kundër dezinformimit, ishin dy temat themelore të kësaj Konference me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të CEI-së, OSBE-së, drejtuesve të agjencive të lajmeve nga 12 vende, anëtare të ABNA-SE, mes të cilëve edhe drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare të medieve, zyrtarë të lartë të pushtetit vendor në Trieste etj.
Ai nënvizon se “në kontekstin e krizës ndërkombëtare, integrimi i rajonit të Ballkanit në projektet e zhvillimit ekonomik, përfshirë Portin e Triestes, është thelbësor”
“Porti i Triestes duhet të bëhet gjithnjë e më konkurrues dhe efikas, për t’u propozuar si një zgjidhje për transferimin e mallrave në Evropē”, shtoi Consalvo
“Në këtë moment mund të përcaktohen tashmë disa skenarë. Krijimi i partneriteteve operative në këtë fazë ndoshta është i parakohshëm, por në çdo rast është e rëndësishme të fillojmë të punojmë për marrëdhëniet dhe identifikimin e objektivave të përbashkëta, sepse kjo përfaqëson fillimin e një procesi”, shtoi ai.
“Për rajonin e Friuli Venezia Giulia-s, Ballkani nuk është më vetëm zona e ndikimit që ka qenë për dekada të tëra, por është domosdoshmërisht fronti i përbashkët që duhet të krijojmë për t’iu përgjigjur sfidave globale me të cilat po përballemi”, deklaroi këshilltarja rajonale për Punën dhe Arsimin, Alessia Rosolen.
Ajo tha se “ne mund të jemi qendra, falë Detit Adriatik, e një sërë zhvillimesh që sigurisht përfshijnë kërkimin dhe infrastrukturën më të rëndësishme, që është demokracia. Dhe gjithashtu informacionin.
“Por ato gjithashtu përfshijnë”, shtoi këshilltarja, “çështje në të cilat debati mbi kërkimin shkencor dhe diplomacinë shkencore përbëjnë përgjigjet për nevojat me të cilat përballemi, sigurisht të lidhura, për shembull, me infrastrukturën e re për shtratin e detit ose hapësirën ajrore të lartësisë së ulët”.
/os/