E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Berlini zgjat misionin e trupave gjermane në Irak deri në janar 2026

BERLIN, 18 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane ra dakord sot për zgjatjen e misionit të trupave gjermane në Irak deri në janar 2026.

Zëvendëszëdhënësi i qeverisë Wolfgang Buchner tha se kabineti miratoi zgjatjen e misionit – i cili përfshin dislokimin e rreth 500 trupave gjermane – pas një kërkese nga qeveria irakiane për mbështetje të mëtejshme kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Buchner tha se misioni synon të sigurojë stabilitet dhe siguri në Irak dhe të parandalojë riaktivizimin e organizatës terroriste të njohur si Shteti Islamik.

Mandati aktual që rregullon dislokimin do të përfundojë në fund të tetorit. Zgjatja e misionit do të kërkojë miratimin e Dhomës së Ulët të Gjermanisë, Bundestag.

Forcat gjermane po ndihmojnë në përpjekjet e misionit të NATO-s në Irak dhe Operacionin Inherent Resolve, e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik.

Grupi terrorist kontrolloi zona të mëdha të Irakut dhe Sirisë për disa vite – përpara se të mposhtej kryesisht nga aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja.

Megjithatë, celula terroriste besohet se mbetet aktive në të dy vendet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›