E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Bum i IA-së sjell vende pune, ndryshon ekonominë por shtrenjtëson edhe energjinë

KALIFORNI, 6 tetor /ATSH/ – Qëndrat e të dhënave (data center), struktura që shërbejnë si “truri” i inteligjencës artificiale duke strehuar serverë dhe pajisje për ruajtjen e përpunimin e të dhënave, po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ekonomitë lokale, por përfitimet ndryshojnë ndjeshëm në varësi të zonës ku ndërtohen, shkruan focus.it.

Një studim i publikuar si preprint në SSRN, që analizon ndikimin e qëndrave të të dhënave në territorin e Shteteve të Bashkuara, ka shqyrtuar efektet e tyre në punësim, paga, numrin e bizneseve, të ardhurat familjare dhe kostot e energjisë.

Sipas studimit, në tre vitet e para pas hapjes së një qëndre, qarku ku ai ndodhet regjistron mesatarisht një rritje prej 0,9% të punësimit, 1,1% të pagave, 1% të numrit të bizneseve dhe 0,7% të të ardhurave familjare.

Në periudhën afatgjatë, ndikimi bëhet më i dukshëm, duke arritur në 3,5% rritje të punësimit, 5% të pagave, 4,7% të numrit të bizneseve dhe 1,9% të të ardhurave familjare.
Megjithatë, ndikimi nuk është i njëjtë në zonat urbane dhe rurale.

Përfitimet më të mëdha në qytete

Studimi evidenton se zonat metropolitane përfitojnë më shumë nga ndërtimi i qëndrave të të dhënave sesa në zonat rurale.

Kjo lidhet me faktin se këto struktura kërkojnë inxhinierë, kompani ndërtimi, furnitorë pajisjesh, shërbime profesionale dhe punonjës të kualifikuar.

Në qytete, pjesa më e madhe e këtyre burimeve njerëzore dhe shërbimeve gjenden pranë impiantit. Në zonat rurale, ndërsa numri i vendeve të përhershme të punës mund të jetë i kufizuar, shumë shërbime të specializuara sigurohen nga kompani jashtë zonës.

Megjithatë, edhe në qarqet jo-metropolitane vërehet një ulje e vogël, por e matshme e papunësisë.

Rriten edhe kostot e energjisë

Një nga efektet negative lidhet me konsumin shumë të lartë të energjisë elektrike. Një data center i madh mund të konsumojë energji në nivele të krahasueshme me rreth 80 mijë banesa.

Sipas studimit, prania e këtyre impianteve lidhet me një rritje mesatare prej rreth 5% të çmimeve të energjisë elektrike.

Kështu, analiza paraqet një tablo me dy anë: data centerët mund të sjellin investime, vende pune, rritje të pagave dhe aktivitet ekonomik, veçanërisht në zonat urbane, por njëkohësisht mund të rrisin kostot e energjisë për komunitetet lokale.

Në SHBA numërohen mbi 2.700 data centerë, ndërsa në Itali janë rreth 250, duke përfshirë objektet ekzistuese, ato në ndërtim dhe projektet e planifikuara.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›