Shqipëri-San Marino, kuqezinjtë synojnë tri pikët dhe gola në “Air Albania”

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të përballet sonte me San Marinon, në ndeshjen e katërt të grupit të Ligës së Kombeve, me sfidën që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Kuqezinjtë kërkojnë tri pikët, por edhe një fitore me sa më shumë gola, pasi golavarazhi mund të rezultojë vendimtar në garën për kreun e grupit.
Shqipëria renditet aktualisht e dyta me 6 pikë, një më pak se Finlanda kryesuese dhe dy më shumë se Bjellorusia.
Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, ndërsa kuqezinjtë pritet të luajnë me një skemë më sulmuese.
Në portë pritet të jetë Mario Dajsinani, ndërsa mbrojtja me tre pritet të përbëhet nga Gjimshiti, Kumbulla dhe Mitaj.
Në mesfushë pritet të aktivizohen Pilo në krahun e majtë dhe Uzuni në të djathtin, ndërsa Ramadani dhe Asllani në qendër.
Në repartin ofensiv, Muçi dhe Hoxha pritet të luajnë në krahë, me Rey Manajn në qendër të sulmit.
Maran ka paralajmëruar skuadrën të mos e konsiderojë sfidën si të lehtë, duke kujtuar edhe ndeshjen e parë ndaj San Marinos, kur Shqipëria uli ritmin gjatë lojës.
Ndërkohë, sulmuesi Rey Manaj tha dje se kuqezinjtë duhet ta nisin ndeshjen me intensitet dhe të kërkojnë golin që në minutat e para.
Sipas tij, një fitore me sa më shumë gola do të ishte e rëndësishme për objektivin e Shqipërisë në grup.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Bjellorusia do të përballet me Finlandën, rezultat që gjithashtu mund të ndikojë në renditjen e grupit.
Për duelin Shqipëri-San Marino, UEFA ka caktuar një trupë arbitrimi nga Turqia, me Mehmet Türkmen si arbitër kryesor.
/gj.m/a.f/r.e/