E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Çmimi i naftës rritet pas dështimit të bisedimeve SHBA-Iran

NJU JORK/LONDËR, 11 maj /ATSH-DP/ – Çmimet e naftës vijuan rritjen në fillim të javës, pasi bisedimet për paqe mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dështuan.

Një fuçi naftë “Brent” e Detit të Veriut për dorëzim në korrik u rrit me pak më shumë se 4% sot duke arritur në 105,76 dollarë.

Çmimi i naftës ishte rritur edhe në fund të javës së kaluar, pasi kishte rënë në 96 dollarë të enjten, mes shpresave për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, përpjekjet e Uashingtonit dhe Teheranit për të ulur tensionet kanë treguar pak përparim.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi përgjigjen më të fundit të Iranit ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e konfliktit si plotësisht të papranueshme dhe vijoi me kërcënime të reja ndaj Teheranit.

Irani e hodhi poshtë propozimin amerikan, ndërsa mediat shtetërore e paraqitën atë si një kërkesë për dorëzimin e Teheranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do ta vazhdojë luftën derisa të zgjidhen shqetësimet kryesore lidhur me programin bërthamor të Iranit./ /Ad.Ad./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›