Berisha: KAYO po blen mallra me pesëfishin e çmimeve

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme për shtyp u ndal edhe te krijimi i kompanisë së re “Albania Digital Solutions”.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me krijimin e kompanisë “Albania Digital Solutions”, të lajmëruar sot nga kryeministri Edi Rama, Berisha tha se “do krijojë KAYO-n e dytë, do krijojë kompanitë, të gjitha personale, për të vjedhur”.
“Siç kishte AKSHI-n, që u zbulua dhe u damkos, ka krijuar kompaninë e prokurimeve ushtarake dhe prodhimeve ushtarake, e cila, sa për dijeni, me të dhënat e para, po blen mallra me pesëfishin e çmimeve të zakonshme të tregut, dhe kjo vetëm e vetëm për llogari të miliarderit Edi Rama”, theksoi Berisha.
Apo për të krijuar zhurmë, vijoi Berisha, siç bëri me Diellën, që po luftojmë korrupsionin, ndërkohë që korrupsioni u rrokullis 11 vende më poshtë.
“Për të vazhduar me këtë mashtrim të turpshëm, ka krijuar një start-up me dashboard të kontrolluar tërësisht nga qeveria, të ushqyer nga qeveria për të mashtruar shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se si atë po e censurojnë mediet, të cilat i shpall investitorë strategjikë dhe vjedh nga paratë e taksapaguesve dhe u jep atyre dhjetëra e dhjetëra-milionë euro për të mashtruar shqiptarët”, tha Berisha.
/k.s/a.f/r.e/