FOKUS – Edhe Ukraina e pranishme në aktivitetin e OSBE-së në Maltë, ku merr pjesë Lavrov

KIEV, 4 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ukraina deklaroi sot se do të dërgonte ministrin e saj të Jashtëm, Andriy Sybiga në një mbledhje të OSBE-së në Maltë, ku është planifikuar të marrë pjesë edhe kryediplomati rus, Sergei Lavrov.
”Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga do të vizitojë Maltën në datat 5-6 dhjetor për një seri bisedimesh dypalëshe me homologët e tij nga vendet partnere të Ukrainës”, tha Ministria e Jashtme ukrainase.
Ndërkohë, Moska njoftoi sot se kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, nën sanksionet evropiane, do të udhëtojë në Maltë nesër dhe pasnesër për një takim ministror të OSBE-së, udhëtimi i tij i parë në BE që nga fillimi i sulmit të forcave ruse kundër Ukrainës, në shkurt 2022.
“Më 5 dhe 6 dhjetor, ministri i Jashtëm rus dhe një delegacion rus do të marrin pjesë në takimin e radhës të Këshillit Ministror të OSBE-së në Maltë”, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zakharova.
Kjo vizitë vjen mes spekulimeve për nisjen e një procesi të mundshëm paqeje me Ukrainën, e mbështetur ushtarakisht nga vendet e BE-së, dhe një muaj e gjysmë para kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, gjë që e bën Kievin të frikësohet nga ndërprerja e ndihmave amerikane./ a.jor.