E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – NATO akuzon Rusinë për mbështetjen e programit bërthamor të Koresë së Veriut

BRUKSEL, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte akuzoi Rusinë për mbështetjen e programeve raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut në këmbim të trupave dhe armëve.

“Këto zhvillime mund të destabilizojnë Gadishullin Korean dhe madje të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara”, theksoi Rutte pas një takimi dyditor të anëtarëve të aleancës në Bruksel.

Ai i referohej faktit se programi raketor i Koresë së Veriut synon të zhvillojë raketa me majë bërthamore që do të jenë gjithashtu të afta të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Rutte nuk dha asnjë detaj në lidhje me informacionin e NATO-s.

Sipas shërbimeve sekrete perëndimore, Koreja e Veriut kohët e fundit ka ofruar mijëra ushtarë për të mbështetur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Para kësaj, vendi u përfol tashmë se do të furnizonte Moskën me sasi të mëdha municionesh dhe raketash balistike.

NATO e konsideron sigurimin e trupave luftarake një zgjerim të rrezikshëm të mbështetjes së Koresë së Veriut për Rusinë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›