E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – GRAM: Rezistenca ndaj antibiotikëve vret më shumë se SIDA dhe malaria

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH/ – Ne mund të heqim dorë lehtësisht nga foljet në kohën e ardhshme: rezistenca ndaj antibiotikëve është tashmë një nga kërcënimet kryesore për shëndetin global sot, shkruan focus.it.

Në vitin 2019, infeksionet superbakteriale, të cilat nuk mund të trajtohen me ilaçet në dispozicion, ishin shkaku i drejtpërdrejtë i 1,27 milionë vdekjeve të dokumentuara, 3 500 vdekje në ditë në mbarë botën.

Rezultati mori në konsideratë raportet mjekësore të 471 milionë njerëzve nga 204 vende, duke ekzaminuar vdekjet e lidhura me 23 patogjenë të ndryshëm dhe rezultatet e 88 lidhjeve të ndryshme midis antibiotikëve dhe baktereve.

Raporti (Global Research on AntiMicrobial Resistence, GRAM), i koordinuar nga Universiteti i Uashingtonit, është më i kompletuari i realizuar ndonjëherë deri më tani, pas shumë studimeve në shkallë lokale ose të fokusuara në disa patogjenë.

Për zonat me mbulim të dobët të të dhënave, janë prodhuar vlerësime të besueshme bazuar në performancën e atij rajoni.

Duke marrë parasysh vetëm vdekjet që i atribuohen drejtpërdrejt rezistencës ndaj antibiotikëve, pra ato që dikur mund të ishin zhdukur me antibiotikë, të cilët tani janë bërë joefektiv, përparimi i superbaktereve është tashmë më vdekjeprurës se SIDA dhe malaria.

Në vitin 2019, virusi HIV ishte përgjegjës për 680 000 vdekje dhe parazitoza e shkaktuar nga mushkonjat për 627 000.

Në praktikë kemi të bëjmë me një tjetër pandemi tinëzare për të cilën flitet shumë pak, e cila së shpejti mund t’i bëjë të pashërueshme gjendjet e zakonshme si septicemia apo pneumonia.

Por shifra mund të jetë shumë më serioze. Vlerësohet se vdekjet e lidhura me rezistencën ndaj antibiotikëve, pra ato të pacientëve që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe gjithashtu të prekur nga infeksionet superbakteriale, ishin 4,95 milionë në vitin 2019.

Nuk e dimë se sa prej këtyre pacientëve do të ishin ende gjallë nëse nuk do të ishin infektuar. ndërsa trajtoheshin për arsye të tjera: nëse do të kishim antibiotikë efektivë për t’i trajtuar, disa ndoshta do të ishin shpëtuar.

Duke llogaritur edhe këto vdekje, rezistenca ndaj antibiotikëve bëhet shkaku i tretë i vdekjeve në botë, pas ishemisë kardiake (pararendës i një ataku në zemër) dhe goditjes në tru.

Në vendet me të ardhura të larta, rezistenca ndaj antibiotikëve është shkaku i drejtpërdrejtë i 13 vdekjeve për 100 000.

Megjithëse këto infeksione të pashërueshme janë të rrezikshme në çdo moshë, një në pesë vdekje në mbarë botën ndodhin tek fëmijët nën moshën 5 vjeç./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›