FOKUS – Gjermania i dorëzon Ukrainës sistemet “Patriot”

BERLIN, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Dorëzimi i dy sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë mund të fillojë pasi të kapërcehet një pengesë e fundit, tha sot qeveria gjermane.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se parakushti kishte qenë që prodhuesi amerikan të dorëzonte sisteme të reja sa më shpejt të ishte e mundur në këmbim, në mënyrë që Gjermania të mund të vazhdonte të përmbushte detyrimet e saj ndaj NATO-s.
”Në mënyrë specifike, forcat e armatosura gjermane, ose Bundeswehr, do të dorëzojnë lëshues shtesë ‘Patriot’ në Ukrainë në ditët në vijim si hap i parë”, njoftoi ministria.
”Në një hap të dytë, ajo do të dorëzojë komponentë të tjerë të sistemit brenda dy – tre muajve të ardhshëm për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës me bateri ‘Patriot’ shtesë”, shtoi ajo.
Është rënë dakord me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së që Gjermania do të jetë vendi i parë që do të marrë sisteme të prodhuara rishtazi të gjeneratës së fundit në një bazë të përshpejtuar në këmbim.
Gjermania planifikon të financojë marrëveshjen. Fillimisht, ishte planifikuar të bliheshin dy sisteme ”Patriot” për afërsisht 1,14 miliardë dollarë secili në SHBA dhe të dërgoheshin direkt në Ukrainë.
Megjithatë, meqenëse ato nuk janë menjëherë të disponueshme, Bundeswehr tani do të heqë dorë fillimisht nga dy nga nëntë ”Patriot” e mbetur dhe më pas do të marrë zëvendësime nga SHBA-ja. /Ad.Ab./