FOKUS – Gjermania u bën thirrje SHBA-së dhe Rusisë të respektojnë moratoriumin e testeve bërthamore

DAMASKË, 30 tetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i kërkoi sot SHBA-së dhe Rusisë të vetëpërmbahen nga kryerja e testimeve të reja të armëve bërthamore, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi planet për të rinisur testet për herë të parë në më shumë se 30 vjet.
“Është thelbësore që të pesë shtetet me armë bërthamore të vazhdojnë t’i përmbahen moratoriumeve përkatëse të ndalimit të testeve të armëve bërthamore”, tha diplomati më i lartë i Gjermanisë në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një vizite në Damask.
Në një postim në “Truth Social”, Trump njoftoi sot fillimin e menjëhershëm të testeve të reja të armëve bërthamore.
Lloji i testeve dhe armët që do të testohen mbetën të paqarta. SHBA-ja ka kryer testet e fundit të këtij lloji në vitet 1990.
Kjo e nxiti Rusinë të thoshte se mund të rifillonte testimin e armëve bërthamore, duke shkaktuar frikën e një gare të re të armëve bërthamore.
Wadephul tha se besonte se njoftimi i presidentit Trump ishte më shumë një reagim ndaj përdorimit të sistemeve me energji bërthamore nga Rusia, në të kaluarën.
Ai tha se Berlini po përpiqej të kuptonte se çfarë kishte dashur të thoshte saktësisht presidenti amerikan.
“Do të duhet ta diskutojmë këtë me kolegët tanë amerikanë”, tha ministri.
“Në këtë pikë, nuk e kuptoj këtë si rifillimin e menjëhershëm të testeve bërthamore, të cilat, rastësisht, do të kërkonin gjithashtu përgatitje të konsiderueshme”, tha ai.