FOKUS – Hamasi e konsideron konfliktin në Gaza të përfunduar plotësisht

GAZA, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Hamasi e konsideron luftën në Gaza plotësisht të përfunduar, deklaroi zyrtari më i lartë i grupit palestinez jashtë vendit, Khalil al-Hayya, në një fjalim televiziv, duke cituar garancitë nga ndërmjetësit.
Al-Hayya vuri në dukje se delegacioni palestinez mori siguri nga ndërmjetësit dhe administrata amerikane se “lufta ka mbaruar plotësisht”.
Al-Hayya është gjithashtu kreu i delegacionit negociues të Hamasit në bisedimet për një armëpushim.
”Hamasi ka dhënë një përgjigje që i shërben interesave të popullit palestinez dhe kursen gjakderdhjen”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së bazuar në planin e paqes të SHBA-së.
“Ne pohojmë se sakrificat e popullit tonë nuk do të jenë të kota dhe se do t’i qëndrojmë besnikë premtimit tonë dhe nuk do të heqim dorë nga të drejtat kombëtare të popullit tonë, të arrijmë lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen”, theksoi ai.
Një zëdhënëse izraelite konfirmoi më parë se një marrëveshje mbi pikat kryesore të një plani për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza ishte nënshkruar në mëngjes, duke hapur rrugën për fazën e parë të propozimit të SHBA-së.
”Hamasi do të vazhdojë të punojë me fraksionet kombëtare dhe islamike për të realizuar krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin si kryeqytet”, tha al-Hayya.
Marrëveshja përfshin lirimin e pengjeve të rrëmbyera në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e trupave izraelite në një vijë të dakorduar pas dy vitesh lufte.
Izraeli do të lirojë rreth 250 palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm dhe afërsisht 1 700 të tjerë të ndaluar pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi dy vjet më parë, të cilat shkaktuan luftën./ a.jor.