E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Hamasi paralajmëron Izraelin: Mund të përsërisim sulmin e 7 tetorit

TEL AVIV, 22 tetor /ATSH/- Grupi palestinez i armatosur, Hamas ka paralajmëruar Izraelin se mund të kryejë një sulm të ngjashëm me atë të 7 tetorit 2023, kur ndodhi masakra në Izrael, raportoi sot media izraelite “ynet”.

COGAT, autoriteti izraelit që merret me çështjet palestineze, konfirmoi për “ynet” se kërcënimi i ishte përcjellë një prej zyrtarëve të tij gjatë një takimi me Ramiz Alakbarov, të dërguarin e OKB-së për Lindjen e Mesme.

Alakbarov zhvilloi bisedime me anëtarë të lartë të Hamasit javën e kaluar.

Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga burime të tjera.

Sipas raportimit, kërcënimi lidhej edhe me veprimet e ushtrisë izraelite, e cila vazhdon të mbajë nën kontroll më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, edhe pse ka kaluar një vit nga shpallja e armëpushimit.

Një tjetër arsye e përmendur ishte anulimi i zgjedhjeve palestineze, të cilat fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor.

Sipas “ynet”, Hamasi nuk është më i gatshëm ta pranoje këtë situatë.

Media raportoi se udhëheqja politike dhe shërbimet e sigurisë të Izraelit u njoftuan menjëherë për kërcënimin.

Më 7 tetor 2023, luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, të cilët i dërguan në Rripin e Gazës.

Ky sulm i paprecedentë shkaktoi luftën në Gaza. Që atëherë, sipas autoritetit shëndetësor të Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi, janë vrarë më shumë se 74 000 palestinezë.

Situata humanitare në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rëndë. Zona të mëdha janë shkatërruar, ndërsa shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë në tenda dhe varen nga ndihmat humanitare për të siguruar nevojat bazë.

Sipas “ynet”, Hamasi paralajmëroi se një sulm i ngjashëm mund të ndodhë kudo, në territorin e Izraelit, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli ose edhe jashtë vendit.

Megjithatë, ka dyshime nëse Hamasi i ka ende kapacitetet për të organizuar një sulm të tillë, pas tre vitesh luftë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›