FOKUS – Hofreiter: Shqipëria ka bërë përparime në procesin e integrimit

BERLIN, 11 tetor /ATSH/ – Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Evropën, Anton Hofreiter deklaroi se “Shqipëria ka bërë përparime për sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”.
Pas takimit me parlamentarët e vendeve të Procesit të Berlinit, Hofreiter tha se temë e diskutimeve kanë qenë procesi i zgjerimit, migrimi masiv, veçanërisht largimi i të rinjve, si dhe çështjet e infrastrukturës.
“Procesi i Berlinit ka arritur disa gjëra, sidomos përmirësimin e bashkëpunimit. Një nga arritjet është dimensioni parlamentar, që synon të shndërrojë marrëveshjet në ligje të miratuara. Për këtë duhen parlamentet, dhe për këtë arsye, nuk duam vetëm që qeveritë të flasin me njëra-tjetrën, por edhe që parlamentet e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të komunikojnë intensivisht mes tyre”, tha Hofreiter.
Duke folur për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Hofreiter theksoi se këto vende kanë bërë përparime reale.
Sipas tij, “në Bashkimin Evropian është kuptuar që tashmë nevojitet procesi i zgjerimit, qoftë për arsye gjeopolitike, por edhe ato të sigurisë”.
“Ka përparim real në procesin e zgjerimit. Për shumë vite, Bashkimi Evropian bënte sikur donte t’i pranonte këto vende, dhe ato bënin sikur po bënin reforma. Kjo ka ndryshuar në mënyrë thelbësore që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës”, deklaroi Hofreiter.
“Në Bashkimin Evropian është kuptuar që nevojitet procesi i zgjerimit për arsye gjeopolitike dhe të sigurisë. Dhe në shumë nga këto vende janë bërë reforma të vërteta.
Jo në të gjitha, por në shumë prej tyre po ndodhin ndryshime. Mali i Zi po zbaton shumë mirë reformat, dhe gjithashtu Shqipëria ka arritur shumë. Prandaj, tani shohim vërtet përparim, pas shumë vitesh të humbura”, tha Hofreiter./ (Deutsche Welle) /o.s/