ITALI – Hetime për një ish-punonjës banke, i akuzuar për vjedhje të llogarive të kryeministres Meloni

ROMË, 11 tetor /ATSH-DPA/ – Kanë filluar hetimet për një ish-punonjës banke, i akuzuar për vjedhje të llogarive të kryeministres italiane, Giorgia Meloni si dhe politikanëve të tjerë të lartë në Itali.
“Gjatë një periudhe prej dy vitesh, burri nga qyteti juglindor i Barit dyshohet se ka kontrolluar llogaritë rrjedhëse të rreth 3 500 klientëve të bankave, përfshirë Melonin dhe disa nga ministrat e saj”, raportoi sot media italiane.
Motivet e burrit raportohet të jenë të paqarta.
Qasja e pazakontë në llogari është vërejtur gjatë një auditimi të brendshëm.
Dyshimi lindi pasi u zbuluan kontrollet e shpeshta të llogarisë së punonjësit.
Burri u pushua nga puna dhe tani është nën hetim për akses të paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe tentativë për të marrë informacion.
Policia kontrolloi shtëpinë e tij dhe sekuestroi telefona inteligjentë dhe pajisje kompjuterike.
Dyshohet se burri ka spiunuar edhe deklaratat e kartës së kreditit.
Duke përdorur deklaratat ai mundi të monitoronte dhe rindërtonte edhe lëvizjet e politikanëve.
Sipas raportimeve të mediave, ish-punonjësi i bankës mohoi të ketë shkarkuar ndonjë të dhënë.
“Në mesin e llogarive të spiunuara ishin ato të motrës së Melonit, Arianna dhe ish-partnerit të saj Andrea Giambruno”, thanë mediet.
Llogari të tjera të spiunuara ishin ato të presidentit të Senatit italian, ministrit të Mbrojtjes dhe komisionerit të caktuar të BE-së Roberto Fitto, të cilët të gjithë i përkasin partisë së ekstremit të djathtë të Melonit “Fratelli d’Italia”./ a.jor.