FOKUS – Hungaria planifikon të tërhiqet nga ICC-ja, ndërsa Netanyahu viziton vendin

BUDAPEST, 3 prill /ATSH-DPA/ – Ndërkohë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili përballet me një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), mbërriti sot në Budapest, Hungaria tha se synon të tërhiqet nga gjykata e sipërcituar.
Ministri hungarez i Shtetit, Gergely Gulyás deklaroi se vendi synon të tërhiqet nga gjykata.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi Netanyahu mbërriti në Budapest për udhëtimin e tij të parë në Evropë që nga lëshimi i urdhrit të arrestit të ICC në nëntor.
Gjykata akuzon liderin izraelit për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës së Gazës.
Gulyás tha se ”qeveria hungareze synon të fillojë procesin e tërheqjes nga gjykata”.
Ai shtoi se vendi po vepron në përputhje me kushtetutën dhe ligjin ndërkombëtar.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán e kishte injoruar tashmë mandatin e gjykatës kur i bëri ftesën liderit izraelit.
Orbán e ka bërë të qartë se ai nuk ndihet i detyruar nga kërkesat e ICC për anëtarët e saj, veçanërisht pas lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar kundër Netanyahut./ /os/