FOKUS – Irani kryen numrin më të lartë të ekzekutimeve në dekada

TEHERAN, 13 prill /ATSH/- Irani ka kryer të paktën 1 640 ekzekutime gjatë vitit të kaluar, shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 1989, bën të ditur një raport i publikuar nga organizatat “Iran Human Rights” dhe “Together Against the Death Penalty”, sipas BBC.
Ky numër përfaqëson një rritje prej 68% krahasuar me vitin 2024, kur u raportuan 975 ekzekutime.
Shumica e personave të ekzekutuar ishin dënuar për krime që lidhen me drogën ose për vrasje.
Sipas raportit, 795 prej tyre ishin për vepra të lidhura me drogën, ndërsa 747 për vrasje. Gjithashtu, 37 persona u dënuan për përdhunim, ndërsa të paktën 57 të tjerë për akuza që lidhen me sigurinë, përfshirë edhe dy protestues.
Organizatat paralajmërojnë se autoritetet iraniane mund të rrisin edhe më tej përdorimin e dënimit me vdekje, sidomos pas protestave të janarit dhe konfliktit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe Izraelin.
Që nga fillimi i këtij konflikti më 28 shkurt, shtatë persona janë ekzekutuar në lidhje me protestat, ndërsa mijëra demonstrues janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë një goditjeje të ashpër nga forcat e sigurisë.
Irani vazhdon të jetë vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve, pas Kinës, ku shifrat mbeten sekret shtetëror. Megjithatë, viti i kaluar shënoi nivelin më të lartë të ekzekutimeve në Republikën Islamike në 36 vitet e fundit, me një mesatare prej rreth katër në ditë. /Ad.Ab./